Kosova shumë shpejt do të përballet në Gjykatën e Arbitrazhit, pasi është paditur nga institucioni mikrofinanciar IuteCredit, të cilit Banka Qendrore e Kosovës ia kishte marrë licencën për të operuar me arsyetimin se normat e interesit të aplikuara ishin jashtë çdo standardi.
Mirëpo, përveç kësaj, dyshimet ishin se përveç kredive me norma astronomike të interesit, kompania po pastronte para për biznesmenë dhe persona të fuqishëm nga Estonia dhe Rusia.
Mbylljen e Iute Credit dhe Monego e kishte kërkuar edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë, pikërisht për këtë dyshim.
Për ta mbrojtur Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit, tani është angazhuar edhe një kompani nga Londra, raporton Demokracia.com.
Ministria e Drejtësisë ka lidhur kontratë me kompaninë Alvarez & Marsal Disputes and investifation LLP.
Ministria e udhëhequr nga Albulena Haxhiu ka lidhur kontratë me kompaninë me seli në Londër për përgatitjen e ekspertizave për procedura të arbitrazhit.
Kjo marrëveshje do t’i kushtojë Kosovës 283 mijë e 200 euro, raporton Demokracia.com.
“Lëndë e kontratës do të jenë përgatitja e ekspertizave, për procedura të arbitrazhit në çështjen e arbitrazhit të ngritur nga ‘paditës’ kundër Republikës së Kosovës, pranë Arbitrazhit Ndërkombëtar, në çështjen IuteCredit, No.25135/HBH, për dy lote dhe atë: LOT 1- IUTE CREDI- Për Ekspertizë financiare LOT2 – IUTECREDI-Për Ekspertizë ekonomike (bankare). Çmimi total i shërbimeve duhet të jetë: LOT 1- IUTECREDI-Për ekspertizën financiare me çmimin e negociuar prej 141.600.00; LOT2- IUTE CREDI -Për ekspertizën ekonomike (bankare) me çmimin e negociuar prej 141.600.00.”, thuhet në kontratë.
Shërbimet do të fillojnë me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dhe do të jenë të vlefshme deri në 2 vjet apo në momentin e përfundimit të angazhimeve të ekspertit sipas nevojave të procedurës së arbitrazhit, p.sh: përfundimi i ekspertizës dhe/apo dëshmimi para Tribunalit.
Institucioni mikrofinanciar “Iute Credit”, të cilit i është marrë licenca nga Banka Qendrore e Kosovës, e ka dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë.
“Pasi që Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dhënë një shpjegim ose zgjidhje në lidhje me heqjen e papritur dhe të paligjshme të licencës nga Iute Credit Kosova, kompania mëmë ka paraqitur një kërkesë për arbitrazh në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë”, thuhej në njoftimin e Iute Credit të lëshuar në shkurt të vitit 2020, raporton Demokracia.com.
IuteCredit është institucion mikrofinanciar me origjinë estoneze që përqendrohet kryesisht në kreditë me këste, përfshirë kreditë e makinave.
Kompania operon në Moldavi, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Bullgari dhe Bosnje e Hercegovinë.
Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), më 6 dhjetor 2019 kishte marrë vendim për mbylljen e institucionit financiar jo bankar “Monego” dhe institucionit mikrofinanciar “Iute Credit”. /Demokracia.com/