Lajme
“Kosova nuk pyet pse, por si”| Si i ndryshoi Kurti fjalët për zbatimin e kërkesave të Amerikës
Demokracia
13:06 | 29 Tetor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje vendosi ta shkallëzojë vendimin për targat. Fillimisht me qortime për serbët, pastaj me gjobë, targa provuese e në fund konfiksim.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet një komunikate u shprehën të zhgënjyera që Kurti nuk e ka shtyrë vendimin tërësisht. Ngjashëm u deklarua edhe sekretar i Shtetit, Antony Blinken.

Por, çfarë deklaronte më parë Kurti për kërkesat nga Amerika?

Më 25 prill të këtij viti, Kurti priti në takim ndihmës-sekretaren e SHBA-së, Karen Donfried. Në konferencën për media pas takimit, kryeministri pati një deklaratë interesante.

Tha se kur ka kërkesa nga Amerika, Kosova nuk pyet pse, por si.

“Biseduam për arritjet e qeverisë sonë gjatë vitit të parë dhe rëndësinë e bashkëpunimit më të thellë mes dy vendeve tona sidomos në fushën e ekonomisë, mbrojtjes dhe të sigurisë. Për ShBA-të, Kosova do të mbetet mik, aleat dhe partner i besueshëm që nuk pyet pse, por si dhe jo sa, por kur”, kishte deklaruar kryeministri në këtë konferencë.

Një deklaratë ngjashëm, kryeministri i vendit e kishte dhënë edhe në muajin gusht të vitit 2021. Atëherë kur Kosova po priste afganët, me kërkesë të Amerikës.

“Kur është në pyetje një çështje humanitare, kur është puna te partnerët dhe aleatët tanë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja, atëherë nuk bëhet pyetja pse, por ne themi vetëm si”, kishte deklaruar kryeministri.

Megjithatë, duket se në çështjen e targave Kurti nuk pati të njëjtin qëndrim. Ai vendosi ta shkallëzojë vendimin, por jo edhe ta shtyjë plotësisht siç kërkoi Amerika dhe BE-ja./Nacionale

Të ngjashme