Lajme
Kosova nuk pranohet të paktën deri në vitin 2023, flasin nga Këshilli i Evropës
Demokracia
15:48 | 28 Maj 2022

Share:

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës u diskutua nga disa shtete në mbledhjen e fundit të këtij institucioni, që u mbajt më 20 maj 2022. Sidoqoftë, për këtë çështje nuk u votua dhe nuk dihet nëse do të ndodhë votimi as në vitin e ardhshëm.

Kosova aplikoi vetëm 8 ditë para mbajtjes së mbledhjes së përvitshme të Këshillit të Evropës, pra më 12 maj 2022, raporton Demokracia.com.

Disa prej shteteve pjesëmarrëse, si Gjermania, deklaruan se janë pro anëtarësimit të Kosovës, por për këtë çështje nuk u votua.

Lidhur me këtë, Demokracia.com ka kontaktuar Zyrën për Media të Këshillit të Evropës.

Këta të fundit kanë thënë se nuk kanë komente lidhur me anëtarësimin në këtë fazë.

“Nuk kemi komente të tjera në këtë fazë”, kanë thënë nga Këshilli i Evropës për Demokracia.com.

Në mbledhjen e mbajtur, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se vizita e saj në Ballkanin Perëndimor e bëri të qartë se duhet të intensifikohet bashkëpunimi me Ballkanin Perëndimor.

Kështu, ajo ka thënë se kjo është arsyeja pse Gjermania mbështet Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës, raporton Demokracia.com.

“Vizita ime në Ballkanin Perëndimor më bëri të qartë – Ne duhet të intensifikojmë bashkëpunimin me këto shtete në këtë moment vendimtar. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim Kosovën në rrugën e saj për t’iu bashkuar familjes së Këshillit të Evropës”, ka thënë ajo.

Ministrja gjermane tregon arsyen pse Gjermania po e mbështet Kosovën për anëtarësim në KiE

Duke marrë parasysh se Këshilli i Evropës mblidhet një herë në vit, anëtarësimi i Kosovës nuk pritet të paktën deri në 2023-ën.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Pas përjashtimit të Rusisë, e cila ka nisur agresion kundër Ukrainës, u raportua se shanset e Kosovës që të pranohet janë më larta./Demokracia.com/

Të ngjashme