Ka nisur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ku pas disa fjalëve të kryesueses së këtij organi të partisë në pushtet, Arbërie Nagavci, të pranishmit duartrokitën gjatë.
Para se të hapej mbledhja zyrtarisht dhe të miratohej rendi i ditës, Nagavci i falënderoi kryetarët e komunave veriore për “rezistencën dhe guximin”.
“Shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj në radhë të parë kryetarët e komunave veriore për rezistencën dhe guximin e treguar gjatë këtyre ditëve”, tha Nagavci dhe posa e përfundoi fjalinë nisën duartrokitjet.
“Dua po ashtu ta përgëzoj dhe falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës me në krye kryeministrin Kurti, për qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen me çdo çmim të interesave të Republikës, Policinë e Kosovës për gatishmërinë dhe luftën ndaj bandave kriminale, dhe i falënderojmë po ashtu të gjitha gazetaret dhe gazetarët që në kohë reale kanë raportuar nga këto komuna për ngjarjet e zhvilluara atje”, tha tutje Nagavci.
Duartrokitjet zgjatën edhe më shumë pas këtyre fjalive.
Kujtojmë se paralajmërimet e SHBA-së së Kosova do të përballet me pasoja për shkak të situatës në veri kanë filluar të zbatohen në praktikë shumë shpejt. Më 30 maj, ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jefrey Hovenier, kishte dhënë lajmin se Kosova është përjashtuar nga stërvitja ushtarake “Defender Europe”. Ky nuk është ndëshkimi i vetëm që Kosova ka marrë nha SHBA-ja.
Brenda këtyre 10 ditëve kanë ndodhur edhe sanksione tjera. Gjatë kësaj jave, disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Drejtësisë u është anuluar vizita në SHBA-së, kurse një zyrtar i lartë amerikan ka shtyrë vizitën të cilën e kishte planifikuar ta realizonte në Kosovës.