Lajme
Kosova në terr| Koha kur Vetëvendosje krenohej me thëngjillin, por kundërshtonte ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”
Demokracia
20:32 | 31 Gusht 2022

Share:

Kriza energjetike e ka kapluar Kosovën. Qytetarët e Kosovës po përballen me reduktime të energjisë herë dy orë e herë katër pa të.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti duket se nuk po di të gjejë rrugëdalje nga kjo krizë. Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë thëngjill dhe si e tillë është ndër vendet më të pasura për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Qeveria e Kurtit të vetmen zgjidhje po e sheh kursimin e energjisë, shkruan Demokracia.com.

“Me inflacionin jemi ndër vendet me shifrat më të ulëta, krahasuar me vendet e zhvilluara evropiane, sa i përket mbështetjes ekonomike që po i japim sektorit të energjisë, sipas ‘Financial Times’, Kosova është vendi i katërt në Evropë. Kjo mbështetje është në disa forma”, tha Kurti të dielën, në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Kurtit, qytetarët nuk duhet të jenë pesimistë, por të kenë realizëm ekonomik dhe të kursejnë pasi në kohë krize, sipas Kurtit, kursimi është patriotizëm.

“Çmimet po rriten, është mirë të kursejmë. Pra, jo pesimizëm, por realizëm ekonomik. Kursimi në këtë kohë krize është patriotizëm. Ata që thonë mos kurseni duan t’iu vjedhin”, tha Kurti.

Megjithatë, duket se Kurti ka rënë në grackën e vet, shkruan Demokracia.com.

Partia e tij e ka kundërshtuar ndërtimin e Termocentralin “Kosova e Re”.

Dikur kur Kurti ishte pa pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e kritikonte me të madhe marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës me kompaninë amerikane “Countur Global”.

“Sot aktivistët e Vetëvendosjes i dërguan thëngjill Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, për t’i treguar që Kosova ka kapacitet dhe potencial që të zgjidhë vet krizën e saj energjetike. Qeveria e Kosovës përmes marrëveshjes me “Countur Global” po privatizon kapacitetet e reja prodhuese të energjisë elektrike. Ky privatizim po ndodh pas dështimit total që rrodhi nga privatizimi i KEDS i cili rezultoi me ngritje të çmimeve të energjisë elektrike, përkeqësim të kushteve të punës për punëtorët dhe mungesë totale të investimeve në sektorin e energjetikës”, thuhet në një njoftim të Vetëvendosjes.

Lëvizja Vetëvendosje që sot po i lë qytetarët pa rrymë dikur thoshte se ndërtimi dhe pronësimi i termocentralit “Kosova e Re” nga një kompani private do t’i rrisë çmimet e energjisë elektrike për mbi 50 për qind.

“Kjo ngase profitet për “Countur Global” do të sigurohen duke rritur tarifat. Qytetarët e Kosovës nuk kanë para që t’i japin një kompanie multi-milionëshe që po e shfrytëzon kriminalizimin e politikanëve tanë, për të bërë marrëveshje të tilla-tejet të dëmshme për vendin tonë. Prandaj Lëvizja Vetëvendosje do të intensifikojë aksionet dhe protestat kundër kësaj marrëveshjeje kriminale”, thuhej në reagimin e tyre, përcjell Demokracia.com.

Ndërsa, pasi Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet, bashkëpunimi me kompaninë “Contour Global” ishte ndalur pothuajse tërësisht dhe asaj i ishte imponuar tërheqja nga planet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavatë.

Sipas një njoftimi të “Contour Global” në atë kohë, si arsye kishte përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në një njoftim për media nga Contour Global.

“Siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova duhej të ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”, kishte thënë gjithashtu “Contour Global”, përcjell Demokracia.com.

Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Termocentrali “Kosova e Re” ishte paraparë të fillonte së ndërtuari në vitin 2020, ndërsa të hynte në prodhim në vitin 2023./Demokracia.com/

Të ngjashme