Lajme
Kosova në pritje të rezultateve nga Berlini për variantin e ri të koronavirusit
Demokracia
19:30 | 27 Janar 2021
Ilustrim

Share:

Që nga 18 janari, Kosova ka dërguar 30 mostra në Universitetin “Charite” në Berlin, për të parë nëse edhe në vendin tonë ka raste të variantit të ri të koronavirusit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), më 18 janar të këtij viti ka dërguar 30 mostra në Universitetin “Charite” në Berlin, për të parë nëse edhe në Kosovë ka arritur varianti i ri i COVID-19, raporton Demokracia.com.

Arsyeja përse këto mostra janë dërguar në Universitetin “Charite” në Berlin, është për shkak se ky është një nga laboratorët referent të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Demokracia.com, ka kontaktuar me drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadanin, dhe e ka pyetur se çfarë ka ndodhur me këto mostra të dërguara në Gjermani, dhe i njëjti ka thënë se janë në pritje të rezultateve.

“Janë dërguar mostrat, po presim rezultate. Ju informojmë kur të vijnë”, ka thënë shkurt Ramadani për Demokracia.com.

Çfarë është varianti i ri i COVID-19 dhe kur u shfaq për herë të parë?

Varianti i ri është zbuluar për herë të parë në shtator. Në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër kanë qenë të këtij varianti; në mes të dhjetorit, afro dy të tretat.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se, varianti i ri mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm. Ai ka paralajmëruar se kjo mund ta rrisë për 0.4 vlerën R – një e dhënë që tregon nëse epidemia rritet ose zvogëlohet.

Ky variant i ri i koronavirusit ka krijuar mutacion të madh dhe shpjegimi më i mundshëm është se ai është shfaqur te ndonjë pacient me sistem të dobësuar imunitar, që nuk ka qenë në gjendje ta mposhtë virusin.

Në vend të kësaj, trupi i tij është bërë terren shumëzimi për virusin dhe ai ka krijuar mutacion.

Vlen të theksohet se deri më tani nuk ka asnjë provë që vërteton se ky variant është më vdekjeprurës.

Megjithatë, rritja e transmetimit mund të jetë e mjaftueshme për të shkaktuar probleme për spitalet.

Nëse varianti i ri do të thotë që më shumë njerëz infektohen për kohë më të shkurtër, kjo do të çojë në më shumë njerëz që kanë nevojë për trajtim spitalor.

Po ashtu, për shkak të variantit të ri të koronavirusit të shfaqur në Mbretërinë e Bashkuar, shumë shtete edhe kanë ndaluar udhëtimet apo fluturimet drejt Britanisë. /Demokracia.com/

LEXO edhe:

Varianti i ri i koronavirusit, IKSHPK nis për në Gjermani disa mostra

Të ngjashme