Lajme
Kosova në krizë për mjekë, thirrjet për t’i dërguar ata jashtë vendit nuk ndalen
Demokracia
15:53 | 16 Prill 2022

Share:

Tregu kosovar ka mjaft nevojë për mjekë të rijnë e infermierë. Por pavarësisht se vendi ka nevojë për ta, shumë profesionist shëndetësor po e lëshojnë vullnetarisht Kosovën duke kontribuar kështu si mjek në vendet evropiane. E thirrje për rekrutim të tyre në vazhdimësi po bëjnë kompani të ndryshme. Por jo vetëm kompanitë, thirrje infermierëve për ta lënë Kosovën e për të punuar në Gjermani, po iu bëjnë edhe vet zyrtarët e Universitetit të Gjakovës.

Universiteti Publik i Gjakovës ‘Fehmi Agani” në web faqen zyrtare ka shpallur një mundësi punësimi për studentët e këtij Universiteti, për ata të degës së infermierisë.

“Përshkrimi: Me 17 departamente të specializuara, 754 shtretër dhe 2700 punonjës, ky spital është një vend i mrekullueshëm për një infermier që dëshiron të rritet në karrierë”, thuhet në përshkrimin e punës të vënë në faqen zyrtare të Universitetit të Gjakovës.

E aty tregohen edhe fushat në të cilat ka më shumë kërkesa për punësim.

“ Fushat kryesore përfshijnë pacientët onkologjikë, sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut, pacientët neurologjikë, sëmundjet ortopedike dhe kirurgjikale. Spitali ka pajisje moderne dhe bashkëpunim ndërdisiplinor ekipor”, thuhet tutje në njoftim.

Tek njoftimi po ashtu bëhet thirrje që sa më parë të aplikohet sepse ofertat sipas thirrjes skadojnë shpejtë.

“A është i interesuar ndonjë nga kandidatët me të cilët jeni në kontakt për të marrë një ofertë? Nëse po, ju lutemi na tregoni sa më shpejt që të jetë e mundur pasi ofertat si kjo skadojnë shpejt. Kandidatët e rekomanduar do të përgatiten për intervistë nga një anëtar i stafit Careloop dhe do t’i paraqiten punëdhënësit menjëherë pas kësaj”, thuhet tutje në njoftim.

E kjo thirrje e Universitetit të Gjakovës për rekrutim të infermierëve kosovar në Gjermani, po bëhet pikërisht në kohën kur vendi është alarmuar nga ikja e mjekëve dhe e infermierëve.

Nacionale ka ditë që ka dërguar pyetje në adresë të këtij institucioni, mirëpo ende s’ka marrë përgjigje.

 Ku po shkojnë mjekët kosovarë?

Por nuk është vetëm Gjermania e cila po u ofron kushte të mira të punës doktorëve tanë. Ofertë të mirë për punë, kohëve të fundit po bën edhe Holanda. Ky shtet po u ofron punësim punëtorëve shëndetësorë për të mbuluar nevojat e shërbimeve në institucione të ndryshme, spitale, qendra rehabilitimi, shtëpi të të moshuarve, infermieri rajonale.

Paga e një mjeku në Holandë është 6500 euro. Ndërkohë e një infermieri prej 2900 deri në 3500 euro. E një pagë të tillë mjekët kosovarë mund ta marrin lehtësisht në këtë shtet.

Kjo ofertë mjekëve tanë po u bëhet nga agjencioni ‘Partisan Medical Mercenaries’. Nga ky agjencion po deklarojnë se deri në muajin shtator e kanë në plan që të rekrutojnë deri në 60 infermierë kosovarë në Holandë.

Por, pagë dinjitoze mjekëve kosovarë po u japin shtetet e huaja.

“Një bursë 950 euro dhe një pagë 650-700 euro ku përfshihen dy ditë shkollë, dy ditë praktikë dhe dy ditë punë. Një diplomë ndërkombëtare në një ndër shtetet me shëndetësinë më të zhvilluar”, thuhet ndër tjerash në thirrjen për punë në Holandë nga agjencioni në fjalë.

E mosha adekuate për shkollim dhe punësim në këtë shtet është mbi 21 vjet.

Sipas të njëjtëve, në Holandë mund të bëhet lehtësisht edhe licencimi i mjekëve në periudhën kohore pre 6 deri në 12 muaj.

E të pakënaqur me gjithë mbështetjen e shtetit ndaj tyre janë edhe infermierët kosovarë. Sindikata e Infermierëve, para dy jave ka mbajtur grevë duke kërkuar përfaqësim në Bordin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, pjesëmarrje në Komisionin Disiplinor, paga dinjitoze e kushte të mira të punës, shkruan Nacionale.

“Koeficient 7.1 bazuar në tabelën e koeficientëve të publikuar së fundmi, apo 70% e pagës së mjekut specialist (10.1 koeficientin mjeku specialist). Pagesat për vikende, ndërrime të natës, rrezikshmëri, ngritja e pagesave për ndërrime të natës për 100%, pagesa e orëve shtesë”.

Veç në tre muajt e parë të këtij viti, vendeve evropiane ia kanë mësyrë 62 doktorë kosovarë, duke heçur kështu dorë nga puna e tyre në vendlindje.

Nga Oda e Mjekëve konsiderojnë se këto largime po ndodhin ngase shteti nuk po bën asgjë për ta ndalur ikjen e trurit shëndetësor nga vendi.

“E dimë se çka u ka ofruar shteti këtyre profesionistëve. Sa i përket pagës, të githë janë të indinjuar, por një pjesë e madhe e tyre punojnë edhe në sektorin privat dhe mbulojnë nevojat. Por pas 10 viteve kemi me i pasë spitalet e mbyllura dhe injorimi i këtij problemi është çështja që më së shumti na brengos neve”, thotë Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve kosovarë.

Kujtojmë se në tri vitet e fundit, kosovarët janë braktisur nga plot 538 mantelbardhë.

Ndryshe, sipas të dhënave, paga bruto (e pataksuar) e mjekëve në Kosovë është 610 euro, derisa shembull në Gjermani, ata paguhen deri në 4000 euro.

Ndryshe, sipas odave të profesionistëve shëndetësorë, në Kosovë ka 24 mijë e 92 punonjës shëndetësorë të licensuar dhe prej tyre 14 mijë e 966 janë gra dhe 9 mijë e 126 burra.

Të ngjashme