Lajme
Kosova ndalon importin e mishit të pulës nga Brazili
Demokracia
10:21 | 20 Maj 2025

Share:

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton qytetarët se duke filluar nga data 20 maj 2025, ndalon përkohësisht importin e mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve nga Brazili.

Në njoftim thuhet se kjo masë është ndërmarrë si përgjigje ndaj shpërthimit të gripit të shpendëve (H5N1) në një fermë komerciale në shtetin Rio Grande të Brazilit, i konfirmuar më 16 maj 2025 nga autoritetet braziliane.

“Ky vendim synon të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjes në territorin e Kosovës.

Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe, në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit. Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, mirëpo ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

AUV njofton se ky vendim është në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe veprimet e ndërmarra nga vende të tjera, përfshirë Bashkimin Evropian, Kinën, dhe vende tjera të cilat kanë pezulluar importet e mishit të pulës nga Brazili pas konfirmimit të shpërthimit.

Agjencia tutje bën të ditur se ndalimi do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, gjithmonë bazuar në situatën epidemiologjike në Brazil dhe rivlerësimit të rrezikut nga AUV.

Të ngjashme