Lajme
Kosova me teleskopin më të madh në Evropën Juglindore
Demokracia
23:15 | 30 Qershor 2024

Share:

Në Rashincë të Shtimes është hapur Observatori dhe Planetariumi i Parë Kombëtar. E veçanta në këtë objekt është Teleskopi Solar i cili është më i madhi në Evropën Juglindore.

Pjesën më të madhe të ditës e kalon në këtë vend.

E me mjetet për observimin e hapësirës është mjaft i familjarizuar.

Duke e pasur pasion astronominë, Milaim Rushiti, profesor i Astronomisë, i bëri dhuratë tokën e tij shtetit të Kosovës.

Kështu, në Rashincë të Shtimes u ndërtua Observatori dhe Planetariumi i parë Kombëtar.

E ideja për ndërtimin e observatorit ka qenë e organizatës AOK (Astronomy Outreach of Kosovo).

Por për shkak të kostos së lartë për ndërtimin e tij, AOK iu drejtuan institucioneve për ndihmë.

“Në atë kohë është dashtë që ta kemi edhe një parcelë ku me ndërtu për këtë arsye edhe është dashtë të zgjidhet një parcelë diku, e kjo është fati që e kemi zgjedhë këtu dhe e kemi ndërtu në këtë vend. Kjo është trashëgimi nga baba edhe pikërisht pse është trashëgimi është dashtë me e pytë edhe me marrë pëlqimin e tij mirëpo absolutisht janë kanë plotësisht të pajtimit edhe të lumtur që po bëhet kjo”, thotë Milaim Rushiti, profesor i Astronomisë.

Por çka është e veçanta e këtij Planetariumi?

“E veçanta është se është i pari në Republikën e Kosovës si Observator dhe Planetarium Kombëtar. E dyta është se në këtë observator gjendet edhe një teleskop i cili është solar për vrojtimin e diellit, që është më i madhi në Europën Juglindore ndërsa në pjesën e platosë e kemi teleskopin i cili është me thjerra dhe pasqyra ku na mundëson me pa qiellin deri në thellësi të galaktikave, yjeve e kështu me radhë”, tregon profesori Rushiti.

Në këtë objekt është Salla e Konferencave si dhe Planetariumi, përmes të cilit vizitorët mund të shohin nga afër projeksione yjesh, planetësh e objekte tjera qiellore.

Ndërsa me një pagesë solide, për vizitorët është e hapur kjo qendër shkencore nga dita e martë deri tek e dielën.

Të ngjashme