Takimi i Komunitetit Politik Evropian do të mbahet më 6 dhe 7 tetor të këtij viti.
Takimi i parë i Komunitetit Politik Evropian do të mbledh liderë nga i gjithë kontinenti në një frymë uniteti më 6 tetor 2022 në Pragë. Në këtë takim, shteti i Kosovës është prezantuar me fusnotë.
Demokracia.com ka siguruar agjendën e këtij takimi, ku ajo që bie në sy është se në sesionin më të rëndësishëm të samitit, të lansimit të këtij projekti, do të ketë vetëm 5 fjalime përshëndetëse dhe njërën prej tyre do ta mbajë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Rama është lideri i vetëm nga rajoni që do të mbajë fjalim në këtë takim.
Sipas agjendës, përveç Edi Ramës, fjalim do të mbajë edhe Kryeministri i Republikës Çeke, Petr Fiala, Presidenti i Ukrainës Zelensky, Kryeministri i Norvegjisë, Gahr Støre, si dhe kryeministrja Truss e Mbretërisë së Bashkuar.
Tryeza nis punimet në 13:00 dhe mbyllet me konferencën për media, pas orës 19:30. Pjesëmarrëse do të jenë vendet e Bashkimit Europian, vendet aspirante për në BE, Ballkani Perëndimor dhe aleatë të BE-së.
Komuniteti Politik Europian është një nismë e propozuar fillimisht nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili pritet të jetë prezent aty.
Komuniteti Politik Evropian synon të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin për të adresuar çështjet me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të kontinentit evropian. Kjo platformë për koordinim politik nuk zëvendëson asnjë organizatë, strukturë apo proces ekzistues dhe nuk synon të krijojë të reja në këtë fazë. /Demokracia.com/