Lajme
Kosova mbetet e izoluar| Ja çfarë shkruhej në Raportet e Progresit për gazin lotësjellës të Vetëvendosjes që bllokonte Kuvendin
Demokracia
11:53 | 15 Tetor 2022

Share:

Kosova mbetet e ngujuar. Qytetarët e saj ende nuk mund të lëvizin lirshëm nëpër Evropë.

Ndonëse pritjet që këtë vit Kosovës t’i jepet liberalizmi i vizave ishin të mëdha, në rrugë sërish doli një kusht tjetër, Franca e bëri kushtëzimin e liberalizimit të vizave për kosovarët me sistemin ETIAS.

Edhe pse nga vet BE-ja është pranuar se Kosova i ka plotësuar kriteret në vitin 2018, qytetarët e saj mbeten ende pa viza.
Politikanë të rëndësishëm kosovarë si njërin prej pengesave për liberalizimin e vizave e shohin dhunën politike të partisë në pushtet, Vetëvendosje e cila në atë kohë ishte në opozitë.

Por përdorimi i gazit lotsjellës ishte përmendur disa herë në raportet e Progresit të Komisionit Evropian, shkruan Demokracia.com.

Në raportin e vitit 2015 si mangësi ishte përmendur pengimi i sesioneve plenare nga deputetët e opozitës,  që sipas tyre e ka ngadalësuar procesin e reformimit në Kosovë.

Madje BE kishte vlerësuar se veprime të tilla janë në kundërshtim me vlerat evropiane.

“Pengimi i dhunshëm i sesioneve të fundit plenare nga deputetët e opozitës ka ndikuar negativisht në funksionimin e Kuvendit. Veprimet e tilla janë në kundërshtim me vlerat evropiane. Kuvendi duhet të jetë më efikas dhe të veprojë në përputhje me rregulloren e tij.”, thuhej në raport.

Edhe në raportin e vitit 2016 ishte përmendur dhuna politike e hedhja e lotsjellësit, shkruan Demokracia.com.

“Funksionimi normal i parlamentit u pengua gjatë një pjese të periudhës së raportimit, me anë të disa mjeteve të dhunshme duke përfshirë gazin lotësjellës, nga ana e disa anëtarëve të opozitës. Kjo ka çuar
në tensionime dhe arrestime të një numri të deputetëve opozitarë në ambientet e Kuvendit. Të gjitha partitë politike duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të riangazhohen për dialog konstruktiv me kuvendin si
forumi kryesor për debate politike. Kthimi i anëtarëve të opozitës në aktivitetet e parlamentit kohëve të fundit, është një hap shumë i mirëpritur.”, thuhej në raport.

Veprimet penguese nga disa parlamentarë siç është hedhja e gazit ishin përmendur edhe ë raportin e vitit 2018.

“Kuvendi duhet të përmirësojë në masë substanciale punën e tij si forum për dialog konstruktiv e përfaqësim politik, por edhe të garantojë kontrollet dhe baraspeshat e mirëfillta. Mungesa e shpeshtë e parlamentarëve në seanca plenare, si dhe polarizimi i vazhdueshëm politik kanë dëmtuar aktivitetin ligjvënës gjatë periudhës së raportimit. Veprimet penguese nga disa parlamentarë, duke përfshirë edhe përdorimin e gazit lotsjellës, kanë penguar punimet e Kuvendit. Puna ndërpartiake në reforma të pritura gjatë është nevojë urgjente. Edhe koalicioni në pushtet edhe opozita duhet të intensifikojnë punën e tyre parlamentare, si dhe të kërkojnë konsensusin mbi prioritetet e reformave që lidhen me BE-në. Ratifikimi i marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi në mars të vitit 2018 ishte zhvillim i rëndësishëm.”, thuhej në raport.

Së fundmi në një intervistë, ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.  Mustafa thotë se shansi për liberalizim u humb me demarkacion.

Ai madje ka thënë se pasojat duhet t’i bartin pasojat edhe ata që votuan penguesit

Ish-kryeministri i ka komentuar edhe veprimet e opozitës së atëhershme në drejtim të qeverisë së udhëhequr nga vetë Mustafa. Ai thotë se pasojat janë të shumta, duke përmendur edhe shpenzimet e qytetarëve për t’i pajisur me vizë.

Mustafa ka thënë se edhe vetë qytetarët duhet t’i bartin pasojat, pasi sipas tij me votën e tyre i kanë sjellë në pushtet kundërshtuesit e liberalizimit të vizave.

“Pasojat janë të qarta, pasojat financiare është që siç u tha nga ish-kryeministri Hoti se qytetarët kanë paguar rreth 90 milionë euro për procedurat për viza. Ata që i kanë paguar, të gjithë nuk kanë marrë viza, shumica prej tyre i kanë quar paratë kotë, dhe do të paguajmë ende deri sa t’i plotësojmë kriteret e reja të cilat Franca i vënë para nesh, pra qytetarët e kanë paguar sjelljen e tillë të opozitës, mirëpo vetë qytetarët e kanë paguar edhe sjelljen e vet, sepse qytetarët ua kanë dhënë votën atyre që atëherë e kanë penguar liberalizimin e vizave, atyre që kanë sjellë gaz lotsjellës, bomba molotovi etj, pra qytetarët janë solidarizuar me veprimet e tilla me vetë faktin se i kanë votuar. Prandaj edhe ne si qytetarë duhet t’i bartim pasojat e ndërgjegjes sonë dhe të sjelljes tonë. Është keq, edhe për mua nuk është e kënaqshme që po e them këtë, mirëpo vërtetë kemi ardhë në një situatë që ne tani po i paguajmë dëmin që iu është shkaktuar vendit më përpara”, u shpreh ai.

Edhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku  ka thënë se gazi lotsjellës në Parlamentin e Kosovës ka qenë pengesë në liberalizimin e vizave.

“Me tërë respektin Ministre, kontributi i juaj i vetëm në procesin e liberalizimit të vizave është gazi lotësjellës në Parlamentin e Kosovës. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret vite më parë. Këtë nuk po e them unë por Komisioni Evropian.”, ka thënë ajo. /Demokracia.com/

Të ngjashme