Lajme
Kosova i reagon BE-së: Serbia fajtore për mungesën e progresit në dialog
Demokracia
11:00 | 30 Prill 2024

Share:

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, deklaroi se Kosova nuk duhet fajësuar për mungesën e progresit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, ashtu sikurse sugjeroi Bashkimi Evropian (BE), por ekskluzivisht pala serbe që, pavarësisht pranimit të një marrëveshjeje vitin e kaluar, vazhdoi serinë e shkeljeve të së njëjtës.

Reagimi i Kryeziut erdhi pas deklaratës së zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili, në një konferencë për media, konsideroi se fakti që Kosova dhe Serbia nuk kanë lëvizur drejt zbatimit dhe normalizimit të raporteve është “dështim i të dyja palëve”, duke bërë fajtore edhe Kosovë, pavarësisht veprimeve të fundit të Serbisë që acaruan më tej marrëdhëniet.

Kryeziu theksoi se përkundër sulmit brutal të protestuesve serbë në pjesën veriore të Kosovës ndaj pjesëtarëve të Forcës së NATO-s (KFOR), kidnapimit të tre policëve kosovarë nga Serbia përgjatë vijës kufitare dhe mbështetjes së autoriteteve serbe për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit, insitucionet evropiane s’e sanksionuan Serbinë.

“Që atëherë, 90 ushtarë të KFOR-it u plagosën në veri të Kosovës nga anëtarë të dhunshëm të bandave nën vëzhgimin e krerëve të Listës Serbe në maj të vitit 2023. Në shënjestër ishin edhe gazetarët dhe Policia e Kosovës. Paradoksalisht, vetëm një muaj pasi BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës, jo ndaj Serbisë”, kujtoi zëdhënësi i ekzekutivit kosovar.

“Në qershor të vitit 2023, tre policë të Kosovës u rrëmbyen nga forcat speciale serbe brenda territorit të Kosovës. Përkundër dëshmive të shumta të ofruara nga institucionet tona që vërtetojnë se Serbia ka shkelur integritetin tonë territorial, asnjë masë nga BE-ja nuk është marrë ndaj Serbisë”, shtoi ndër të tjera Kryeziu.

Ai përmendi edhe faktin se shteti serb ndaloi në mënyrë arbitrare mijëra kosovarë që vendosën të kalonin transit nëpër territorin e Serbisë – në mesin tyre edhe dhjetë zyrtarë policorë, nga të cilët katër nga komuniteti serb – pas votës dërrmuese në favor të raportit për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës që rekomandon anëtarësimin e vendit.

“Kjo dhe shumë të tjera dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për ‘faj të të dyja palëve’, por për një rast tjetër të neutralitetit fallco”.

Të ngjashme