Arte
Kosova fiton vendin e dytë në “International Folk Festival Tirana”
Demokracia
09:58 | 27 Korrik 2021

Share:

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Qyteti i Obiliqit” arriti që të marrë vendin e dytë në “International Folk Festival Tirana” (IFFT), në një ngjarje tre ditëshe, ku morën pjesë 9 shtete me ansamblet përfaqësuese.

IFFT është një festival që është i pranuar në FIDAF (Federata Ndërkombëtare e Vallëzimit dhe Folklorit), pjesë e të cilit Kosova është anëtare që prej vitit 2014-të, ndërsa Shqipëria është anëtarësuar në vitin 2019.

Vendi ynë u përfaqësua nga AKV “Qyteti i Obiliqit”, i cili është përzgjedhur sipas rregullave të FIDAF-it, ansambël i cili u themelua në fund të vitit 2019 dhe është institucion kulturor që funksionon nën ombrellën e Departamentit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Komunës së Obiliqit.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ndër personalitetet e shumta, nga Kosova morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

Ndër vendet pjesëmarrëse, me të cilat Kosova ishte në garë, ishin Meksika, Polonia, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Shqipëria. Ansambli i Sofias së Bullgarisë mori vendin e parë, sipas vlerësimit të jurisë profesionale me përfaqësues nga Turqia, Bullgaria, Kosova, Maqedonia, Greqia dhe Shqipëria. /Demokracia.com/

Të ngjashme