Lajme
Kosova falënderon Zvicrën për voton pro anëtarësimit në Këshillin e Evropës
Demokracia
11:18 | 10 Maj 2023

Share:

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme. Kreshnik Ahmeti, dhe Sekretarja e Shtetit e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Livia Leu, të martën udhëhoqën konsultimet politike që u zhvilluan në Bern midis delegacioneve të ministrive të jashtme të të dyja vendeve.

Në këtë takim Ahmeti dhe Leu diskutuan edhe mbi mundësitë e zgjerimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë, drejtësisë dhe sigurisë.

Po ashtu është bërë e ditur se Ahmeti njoftoi delegacionin zviceran për planet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për procesin aktual të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Në emër të shtetit të Kosovës ai e falënderoi Zvicrën për votimin pozitiv në Këshillin e Evropës dhe ndihmën e përhershme që ajo ka dhënë në proceset e anëtarësimeve të Republikës së Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare e rajonale.

Më tutje përgjatë takimit u diskutua edhe mbi agresionin e paprovokuar të Federatës Ruse në Ukrainë dhe për ndikimin që kjo luftë ka mbi rajonin e Evropës Juglindore.

Të ngjashme