Kosova e Shqipëria janë duke e zhvilluar një aksion të përbashkët në luftën kundër korrupsionit.
Autoritetet kosovare dhe ato shqiptare kanë arrestuar në orët e hershme të së premtes dhjetëra policë kufitarë, në të dyja anë e kufirit.
Përderisa në Kosovë ende po vazhdon aksioni dhe nuk ka shifra zyrtare sa policë janë arrestuar, Demokracia.com nga burime të veta në Prokurorinë Speciale merr vesh se pritet të arrestohen 26 policë.
Ndërsa, Shqipëria ka njoftuar se 32 punonjës të Policisë Kufitare në Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit në Kukës, duke përfshirë edhe drejtorin e kësaj Drejtorie janë arrestuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.
Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur 34 masa sigurie, nga të cilët 32 janë policë.
‶Arrest në burg‶ për 17 persona (punonjës policie)
‶Arrest në shtëpi‶, për 14 persona (shtetas dhe punonjës policie)
‶Pezullim nga detyra‶, 3 persona (punonjës policie)