Ka nisur pjesa e dytë e ndeshjes së kualifikues për Kupën e Botës mes Kosovës dhe Greqisë, me epërsinë e grekëve nga pjesa e parë në Prishtinë.
Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes ka vendosur ta bëjë një ndryshim në formacion qysh në fillim të pjesës së dytë në “Fadil Vokrri”.
Lirim Kastrati është larguar nga loja për t’i lënë vend Zymer Bytyçit.
Greqia është duke fituar falë golit të Anastasios Douvikas në minutën e 45-të, raporton Express.
Në pjesën e parë, Kosova e mbizotëroi Greqinë duke e mbajtur topin në këmbë shumicën e kohës dhe duke sulmuar shpesh, por pa arritur të rrezikojë seriozisht.
Ndërsa, vizitorët shënuan në rastin e tyre të parë para portës së Muricit.
Pavarësisht përpjekjeve dhe tentimeve, dardanët nuk e patën asnjë goditje në kornizën e portës greke gjatë këtij intervali kohor.
Verdhekaltrit duhet të mendojnë për një përmbysje rezultati dhe fitoreje, nëse duan t’i mbajnë gjallë shpresat për kualifikim në Kupën e Botës në Katar.
Siç qëndrojnë gjërat, Kosova është e parafundit në grup me vetëm tri pikë. Grupit i prin Spanja, e cila po e mposht 3:0 Gjeorgjinë, me 10 pikë, e ndjekur nga Suedia me 9.
Greqia është e treta me 5 pikë dhe Gjeorgjia e fundit me një pikë.