Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, reagoi nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën pas ekspozimit të grafiteve luftënxitëse “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, një ditë para protestës së thirrur për të kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
“E dukshme kush qëndron pas këtyre grafiteve fashiste që u shfaqën sot në katër komunat veriore të Kosovës: ‘Kur ushtria (serbe) të kthehet në Kosovë; Brigada e Veriut jeton’ – vetëm një ditë para ‘protestës’ së paralajmëruar”, shkroi ish-kryediplomatja kosovare, duke iu referuar Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve të Kosovës – të cilët politizuan protestën.
“Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah aleatëve të NATO-s për të mos lejuar bandat kriminale të sponsorizuara nga Serbia të shkatërrojnë paqen e fituar me vështirësi në territorin e vet dhe të nxisin përplasje artificiale etnike”, shtoi ndër të tjera Haradinaj – Stublla, posaçërisht pas paralajmërimeve se situata në pjesën veriore të vendit mund të përshkallëzohet sërish.