Intervista
“Kosova dhe Serbia mund të bëhen “të burgosur” të politikave nacionaliste shkurt-pamëse”
Demokracia
18:50 | 05 Korrik 2021

Share:

Nën-Sekretar i Shtetit për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, Kai Sauer, në një intervistë për Demokracia.com, ka thënë se frika e tij është se Kosova dhe Serbia do të bëhen “të burgosur” të politikave nacionaliste shkurt-pamëse dhe të inercisë ndërkombëtare.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të jenë në gjendje të jetojnë pranë njëra tjetrës, duke shtuar se BE dhe SHBA duhet të ri-fokusojnë, deri në nivelin më të lartë, vëmendjen politike për rajonin.

“Në anën tjetër ka ende punë të papërfunduara. Kosova dhe Serbia duhet të jenë në gjendje të jetojnë pranë njëra tjetrës, si fqinj të barabartë. Siç ka thënë ish-Presidenti finlandez, J. K. Paaskivi, “gjeografia nuk mund të ndryshohet”. Pra, duhet të pranonin disa fakte dhe të veproni në përputhje me këto. Gjithashtu, BE dhe SHBA duhet të ri-fokusojnë, deri në nivelin më të lartë, vëmendjen politike për rajonin. Pra, thënë me një fjalë, frika ime është se Kosova dhe Serbia do të bëhen “të burgosur” të politikave nacionaliste shkurt-pamëse dhe të inercisë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Sauer tutje ka thënë se synim kryesor i politikës së jashtme të Kosovës duhet të mbetet angazhimi në dialogun me Serbinë që udhëhiqet nga BE.

“Kosova duket se po kalon një tranzicion politik. Si edhe në shumë vende tjera, edhe në Kosovë establishmenti i vjetër politik u ka lëshuar rrugë forcave të reja politike që tani kanë përgjegjësinë që të përmbushin detyrimet. Dëshirë e imja është që derisa i adresojnë të gjitha sfidat e brendshme, synim kryesor i politikës së jashtme të Kosovës të mbetet angazhimi në dialogun me Serbinë që udhëhiqet nga BE”, ka thënë Sauer.

Ai po ashtu ka thënë se ndjehet i lumtur të shoh që Kosova ka bërë shumë progres në këto 20 vitet e fundit, megjithatë, thotë se gota është gjysmë e mbushur dhe shpreson që ky progres do të vazhdojë.

“ Të merreshe me portofolin e Kosovës ishte përvojë interesante dhe pasuruese që ka pasur ndikim të madh në jetën time profesionale. Jam i lumtur të shoh që Kosova ka bërë shumë progres në këto 20 vitet e fundit. Institucionet janë bërë më të fuqishme dhe ka rritje ekonomike. Pra, do thosha se gota është gjysmë e mbushur. Dhe shpresoj që ky progres do të vazhdojë”, ka thënë Sauer./Demokracia.com/

Të ngjashme