Lajme
“Kosova dhe Serbia janë afër t’ia japin goditjen përfundimtare Putinit”
Demokracia
15:32 | 18 Korrik 2023

Share:

Ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në ish-Jugosllavi, Ivor Roberts ka thënë se Kosova dhe Serbia janë afër t’ia japin goditjen përfundimtare Vladimir Putinit dhe ndikimit të regjimit të tij rus në Ballkan.

Në një analizë të botuar në të përditshmen britanike The Telegraph, Roberts shkruan se pasi Beogradi dhe Prishtina të arrijnë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, ndikimi i Rusisë në rajon do të ketë mbaruar dhe statusi i saj global do të jetë zvogëluar edhe më shumë.

Roberts e ka titulluar shkrimin autorial të tij: “Kosova dhe Serbia janë afër t’i japin një goditje përfundimtare Putinit”.

Ish-ambasadori Roberts e fajëson Rusinë për shpërqendrime nga jashtë në dialogun Kosovë-Serbi.

“Rusia nuk dëshiron që të ketë një marrëveshje për Kosovën. Roli i vetëm i Rusisë në rajon është të jetë përkrahëse e refuzuesve serbë të së djathtës ekstreme që thonë se duan të luftojnë deri në fund për të mbrojtur Serbinë në Kosovë”, shkruan Roberts.

Dhe sipas tij, Rusia s’e bën një gjë të tillë sepse i bën shumë për Serbinë, por sepse ky është “një front i rëndësishëm në konfrontimin e saj me Perëndimin, konfrontim të cilin së fundi po e humbet.”

Roberts shprehet tutje që sapo të arrihet marrëveshja, influenca ruse në rajon “përfundon dhe statusi i saj global zvogëlohet.”

Megjithëse është optimist për arritjen e marrëveshjes, Roberts shprehet se Rusia do të përpiqet të krijojë “provokime dhe incidente” për ta bërë paqen edhe më pak të mundshme.

Roberts, po ashtu është deklaruar për mbështetjen që politikania britanike Alicia Kearns po i jep kryeministrit Albin Kurti.

Sipas tij, deputetja britanike po i krijon bindje të gabuara kryeministrit Kurti.

“Observimet e Rebecca Westit për tendencën angleze që të marrë anë në Ballkanin Perëndimor ende janë të vërteta dhe nuk duket të ketë një shembull më të mirë për këtë gjë se Alicia Kearns, kryesuesja e Komitetit për Punë të Jashtme. Ajo natyrisht ka të drejtën të ketë opinionet e saj – por është çështje tjetër nëse pikëpamjet e saj partizane, si dikush që ka pozicion të rëndësishëm, e shtyjnë Kurtin të besojë se ai ka mbështetje ndërkombëtare për rezistencën ndaj kompromiseve ose të pres një marrëveshje më të mirë – dhe negociatorë të nivelit të lartë më kanë thënë se ky është saktësisht efekti që intervenimet e saj po e kanë”, vazhdon shkrimi i Roberts.

Ai ka thënë se në hapin e fundit të dialogut, audienca do duhej të heshtte për të arritur marrëveshjen që, siç nënkupton ai, do të përkthehej në një triumf të perëndimet ndaj Rusisë.

Të ngjashme