Përdorimi i shprehjes “Kosova dhe Metohija” nga Prokuroria e Hagës, ka shkaktuar reagim të ashpër në Kosovë.
Zyrtarët e Prokurorisë e përdorën këtë shprehje gjatë një intervistimi në vitin 2022. Aso kohe, dëshmitari ishte ankuar te Avokati i Popullit.
Dokumenti u bë pubik tek tash.
Një reagim të ashpër e pati nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila kërkoi edhe reagim institucional.
“Përdorimi i termit “Kosova dhe Metohija” nga ana e Prokurorisë së Gjykatës Speciale nuk është lapsus, as gabim i rastësishëm. Është një akt i qëllimshëm, i motivuar politikisht, që përbën jo vetëm një fyerje të rëndë për qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe sfidim i institucioneve dhe shtetit tonë. Ky është një poshtërim. Testim i dinjitetit tonë si shoqëri, institucione, si shtet. Të gjitha institucionet e Kosovës duhet reaguar urgjentisht dhe seriozisht. Heshtja sot është aprovim nesër. Dhe nëse heshtim tani, historia nuk do të na falë”, ka shkruar ajo.
Reagim të ashpër pati edhe deputeti i zgjedhur i PDK-së, Artan Behrami.
“Prokurorisë së Gjykatës Speciale nuk i ka mjaftuar që është shërbyer me dezinformata, dokumente të falsifikuara dhe dëshmi të rreme nga Serbia! Nuk i ka mjaftuar që aty s’ka flamur, s’ka emblemë, s’ka shenja të shtetit të Kosovës. E paska rikthyer kohën e Millosheviçit, duke ringjallur frazën fashiste, “Kosova dhe Metohija”. Duket se aty punojnë dy lloje të njerëzve: burokratë ndërkombëtarë që udhëhiqen nga mendësia e Serbisë dhe, ndoshta, zyrtarë të shtetit serb të punësuar si burokratë!”, shkroi ai.
Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se Prokuroria e Hagës ka bërë skandal të madh duke përdorur këtë term.
“Faktet janë tashmë të qarta, ka shumë të tilla! Fakti se procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara ishte i manipuluar me “prova” nga shteti serb ka qenë diçka që e kemi thënë në vazhdimësi. Këto fakte po dalin sheshazi gjithnjë e më shumë, në mesin e të cilave dëshmohet me “dokumente” të kësaj gjykate ku i referohet Kosovës, ashtu siç i referohet vetëm Serbia. Manipulimi dhe mungesa e profesionalizmit kanë një emërues të përbashkët, gjejeni!”, thuhet në postimin e Bajraktarit.
Analisti Ilir Mirena tha se Gjykata Speciale ka marrë prova të fabrikuara nga Serbia.
“Krejt materialet e shpifjet kunder UÇK’se dhe krereve te saj, Gjykata Speciale i ka marr te fabrikuara prej Serbise. Prandaj, per kete Gjykate eshte normale qe Kosoves t’i referohen si “Kosovo i Metohija”…”, tha Mirena.
Edhe gazetari Parim Olluri kërkoi reagim nga institucionet në Kosovë.
“Zyrtari i Prokurorise se Hages i referohet Republikes se Kosoves si ‘Kosovo i Metohija’. Ku jane Albini, Albulena, Xhela me ia krise nga nje postim per gjyqesorin e kapur? Ne kete rast per Gjykaten Speciale te kapur nga Serbia”, ka shkruar ai.
Hulumtuesi i IKD-së, Astrit Kolaj, tha se përdorimi i këtij termi nga ZPS-ja bie ndesh me kushtetutën e vendit si dhe cenon sovranitetin e Kosovës.
“Gjykata Speciale është themeluar nga institucionet e Kosovës dhe vepron me ligjet e Kosovës andaj tanimë që është zbuluar një term i tillë dhe është përdorur në një takim të një personi që është intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për ne si IKD është e papranueshme si dhe ky term bie ndesh me kushtetutën e Kosovës edhe pse ka qenë një term i përdorur vite me parë dhe është sqaruar ne mendojmë se ZPS-ja dhe Gjykata në tërësi duhet të jetë shumë e kujdesshëm dhe të respektoje ligjet e kushtetutën e Kosovës dhe në asnjë mënyrë e rreth mos të përdor terma që bien ndesh me kushtetutën e vendit. Një term i tillë përdoret nga një vend siç është Serbia dhe se njeh Kosovën si shtet te pavarur duke nënkuptuar se vendohen edh sovraniteti në këtë rast. Në besojmë së institucionet e Kosovës duhet të reagojnë dhe të ketë një reagim përveç reagimit që kemi në si shoqëri civile duhet të ketë reagim institucional ndaj këtij veprimi që është bërë nga një institucion që është themeluar nga kuvendi siç është Gjykata Speciale dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar”, tha Kolaj për RTv21.