Lajme
Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të thellojnë partneritetin në fushën e ekonomisë
Demokracia
10:09 | 22 Shkurt 2021

Share:

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar një bisedë telefonike, me ministren e Shtetit për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Reem Ebrahim Al Hashimy.

Haradinaj-Stublla bëri të ditur se është diskutuar për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Emirateve, përmes implementimit të marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik si edhe projekteve të investimit, shkruan Demokracia.com.

“Emiratet e Bashkuara Arabe janë një partner i ardhshëm ekonomik, që do të zbulojë potencialin e vendit e rinisë sonë të mrekullueshme, për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shkëmbime në fusha të interesit të përbashkët”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Sipas saj, këtë potencial Kosova synon ta kapitalizojë përmes pjesëmarrjes në ngjarjen më spektakolare të shekullit “Dubai Expo 2020”.

Haradinaj-Stublla dhe Al Hashimy kanë biseduar edhe për zhvillimet politike rajonale.

“Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë faktor paqeje e stabilitetin në rajonet respektive, së fundi duke jetëzuar marrëdhëniet me Shtetin e Izraelit përmes angazhimit të përbashkët me partnerin e madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet më tej në komunikatë./Demokracia.com/

Të ngjashme