Lajme
Kosova dhe Belgjika me marrëveshje për ushtrimin e profesioneve të familjarëve të diplomatëve
Demokracia
18:57 | 17 Qershor 2022

Share:

Kosova ka nënshkruar sot një marrëveshje bilaterale me Mbretërinë e Belgjikës, që mundëson ushtrimin e profesionit fitimprurës të familjarëve të diplomatëve të Kosovës me shërbim në Belgjikë.

Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës përmes një komunikate për medie, përcjell Demokracia.com.

“Marrëveshjen mbi Profesionin Fitimprurës të Vartësve të Caktuar të Misioneve Diplomatike dhe Posteve Konsullore, në emër të Republikës së Kosovës e ka nënshkruar Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, Agron Bajrami, dhe në emër të Mbretërisë së Belgjikës Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Belgjikës, Theodora Gentzis, si dhe Udhëheqësja e Divizionit Juridik në Qeverinë e Rajonit Flaman, Delphine Delouvroy”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Marrëveshja u nënshkrua në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Belgjikës, ndërsa pas ceremonisë së nënshkrimit të saj, Ambasadori Bajrami në emër të institucioneve të Kosovës, u zotua për thellim të mëtutjeshëm të raporteve bilaterale mes Kosovës dhe Belgjikës, si dhe falënderoi Sekretaren Gentzis për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën.

“Në fund, Sekretarja Gentzis ka shprehur kënaqësinë dhe vullnetin që të thellojnë marrëdhëniet bilaterale dhe ka thënë se shpreson që marrëdhëniet mes dy shteteve do të avancojnë edhe më shumë në të ardhmen”, thuhet më tej në komunikatë./Demokracia.com/

Të ngjashme