Lajme
Kosova “atraktive” për burgje me qira, tash Suedia shqyrton mundësinë e transferimit të kriminelëve
Demokracia
16:32 | 28 Prill 2022

Share:

Danimarka e ka nënshkruar të mërkurën marrëveshjen për transferimin e 300 të burgosurve në Kosovë, më konkretisht në burgun e Gjilanit. Një model i ngjashëm i është propozuar edhe Suedisë, megjithatë partitë atje rezultojnë me pikëpamje të ndara që të burgosurit ta vuajnë dënimin në Kosovë.

Mediat suedeze kanë raportuar se në shkurt të këtij viti, deputeti Tobias Andersson pyeti Qeverinë nëse ajo synonte të shqyrtonte çështjen e marrjes me qira të ambienteve institucionale jashtë vendit, përcjell Demokracia.com.

Lidhur me këtë çështje, ai mori përgjigje nga Ministri i Drejtësisë në Suedi, Morgan Johansson, i cili tha se marrja me qira e burgjeve jashtë vendit nuk e zëvendëson nevojën që të ketë më shumë të tilla.

“Kujdesi efektiv dhe i sigurt në burg, i përshtatur me kushtet dhe nevojat individuale, ka marrë një kohë të gjatë për t’u ndërtuar dhe ka kontribuar që recidivizmi në krim është ulur me kalimin e kohës. Ky zhvillim duhet të vazhdojë dhe duhet të bëhet në tokën suedeze. Marrja me qira e vendeve të burgut jashtë vendit nuk mund të zëvendësojë nevojën për më shumë vende të tilla në Suedi. As nuk është një zgjidhje që e kërkon vetë Shërbimi Suedez i Burgjeve dhe Provës”, ka thënë ai, përcjell Demokracia.com.

Adam Marttinen, deputet në Parlamentin e Suedisë nga Demokratët, ka thënë se partia e tij do të votojë kundër shembullit danez.

“(SD) dëshiron të rrisë fleksibilitetin duke përdorur një kapacitet institucional evropian. Të dënuarit për dëbim dhe kriminelët e bandës mund të përfitojnë nga vitet e tyre në Kosovë”, ka thënë ai.

Partia e Moderuar në këtë parlament ka reaguar lidhur me këtë situatë gjatë mëngjesit të së enjtes, duke theksuar se do ta hulumtojnë mundësinë e transferimit të të burgosurve në Kosovë.

“Ka mungesë vendesh në Shërbimin Suedez të Burgjeve dhe Provës, kushton shumë dhe kemi probleme që personi i dënuar me dëbim të largohet nga vendi. Ne duam të hulumtojmë nëse Suedia mund të marrë me qira burgje në Kosovë, ku qytetarët joevropianë të cilët janë dënuar me deportim, mund të vuajnë dënimin”, thuhet në reagimin e tyre, përcjell Demokracia.com.

Ndryshe, Kosova përmes një marrëveshje i ka dhënë 300 qeli burgu me qira Danimarkës, ku janë planifikuar të mbahen 300 të dënuar që nuk janë të rrezikshmërisë së lartë.

Qendra Korrektuese me 300 qeli që i është dhënë me qira shtetit të Danimarkës gjendet në fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit, në lindje të Kosovës. Aty nuk do të ketë të dënuar për terrorizëm dhe as të dënuar me sëmundje mendore.

Kosova është vendi më i izoluar në Ballkan, pasi që gati një dekadë pret për heqjen e vizave, megjithatë Këshilli i Ministrave të Evropës ende nuk janë unanim për një vendim pozitiv për liberalizimin e kosovarëve./Demokracia.com/

Të ngjashme