Mbetja në fuqi e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës është vlerësuar si pengesë në procesin e anëtarësimit, por edhe në kundërshtim të plotë me përcaktimin e vendit për vlerat evropiane. Megjithëse në Parlamentin Evropian janë bërë sërish thirrje për heqjen e këtyre masave, ky vendim tanipërtani mbetet në dorën e vendeve anëtare të BE-së. Kësisoj, Kosova, krahas Bjellarusisë dhe Rusisë, është delja e zezë në kontinent, ndaj të cilës janë shqiptuar masa të tilla.
Eurodeputetët kanë kërkuar sërish heqjen e masave sanksionuese të BE-së ndaj Kosovës, por kjo duket se do të mbetet vetëm me kaq.
I vetmi zhvillim nga ‘fronti’ i Brukselit është deklarata e vjetshme e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, se vendimi për heqjen e masave ndëshkuese nuk i takon as Kosovës dhe as kryeministrit të saj, por është diçka që u takon shteteve anëtare të BE-së.
Miratimi i djeshëm i raporteve për Serbinë dhe Kosovën në Komitetin poër Çështje të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian, ka vënë në pah dallime jo të vogla mes dy vendeve.
Derisa dokumenti për Serbinë i përpiluar nga raportuesi Tonino Picula thotë se Beogradi nuk ka bërë “asnjë përparim në fushat kyçe për anëtarësim në BE”, ai për Kosovën i përpiluar nga Riho Terras ka theksuar se “përkushtimi i Kosovës për t’u bërë pjesë e BE-së është i vendosur.”
Kosova midis përparimeve e ngecieve
Me 48 vota për, 19 kundër dhe 6 abstenime, raporti për Kosovën ka vlerësuar se vendi ka hedhur hapa të shënueshëm për reformën zgjedhore, qëndrueshmërinë ekonomike, dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
“Por, sfidat mbeten në reformën gjyqësore, lirinë e medieve, efikasitetin e administratës publike, dhe digjitalizimin e shërbimeve publike”, thuhet në raportin me autor raportuesin estonez, Riho Terras.
Në dokument theksohet se bisedimet Prishtinë-Beograd ende duhet të nxjerrin rezultatet e pritura.
“Vendosmëria e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian ka qenë konstante, dhe të gjitha përpjekjet për ta nxjerrë Kosovën nga ‘zona e hirtë’ janë në interes si të Kosovës, ashtu edhe BE-së”, thuhet në raport.
Duke i bërë thirrje heqjes së menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, që më nuk janë të përligjura sa kohë që Kosova i ka përmbushur kushtet e BE-së.
Gjithnjë sipas raportit, masat qëndrojnë në kundërthënie të thiktë me përkushtimin e Kosovës për vlerat evropiane dhe janë pengesë për rifillimin me mirëbesim të bisedimeve Prishtinë-Beograd.
Jo veprime të njëanshme
Ndërsa ka përsëritur vlerësimin se bisedimet nuk kanë dhënë ende rezultatet e pritura, raporti u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe dhe heqjen e kundërshtimit serb ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare.
Përveç kësaj, në raport është theksuar se “të dyja vendet duhet t’i shmangin veprimet e njëanshme që mund ta dobësojnë procesin e bisedimeve”.
Sipas raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, “është e qartë se procesi i integrimit të Kosovës ka nevojë për momentum të ri, na duhet një kapitull i ri në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit’.
“Është skajshmërisht pozitive që në peizazhin politik në Kosovë, të gjitha partitë kryesore janë fuqimisht në favor të integrimit në BE. E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane, dhe ne do të punojmë së toku në agjendën e reformave, për shkak se çdo anëtarësim i ardhshëm duhet të jetë i mbështetur në merita”, ka thënë Terras.
Serbia po vë në pikëpyetje orientimin gjeopolitik të BE-së
Në takimin e së mërkurës është miratuar me 55 vota për, 13 kundër dhe 8 abstenime edhe raporti për Serbinë i përgatitur nga raportuesi, Tonino Picula.
Raporti, sidoqoftë, ka nënvizuar shqetësime jo të pakta për përparimet të kufizuara ose hiç në plotësimin e kushteve për anëtarësim, në fusha si sundimi i ligjit, liria e medieve, reforma në administratën publike, dhe përputhja me politikat e BE-së, veçmas atë të jashtme.
Sipas raportit, marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë ngrenë shqetësime për orientimin e saj strategjik, shkruan Nacionale.
Për këtë arsye është kërkuar nga BE-ja që ta rishqyrtojë shtrirjen e mbështetjes financiare për Serbinë nëse vendi vazhdon të mbështesë ideologji antidemokratike dhe nuk iu bashkohet sanksioneve evropiane dhe politikës së përbashkët të sigurisë.
“Për një kohë tepër të gjatë, Serbia është përpjekur të marrë më të mirën e fondeve të BE-së derisa ka anashkaluar vlerat tona themelore dhe orientimin tonë gjeopolitik. Procesi i zgjerimit është i mbështetur në merita, dhe përparimi i Serbisë mund të ketë ndikim pozitiv në rajon”, ka theksuar Picula.
Pak shpresë për heqjen e masave
Përtej diskutimeve në Parlamentin Evropian, heqja e kufizimeve nuk duket skenar aq shpresëdhënës.
E tillë paraqitet gjendja edhe me ShBA-në ku, as pas ndërrimit të administratave, nuk po zihet në gojë heqja e kufizimeve ndaj Kosovës.
Në rend të ditës më tepër janë paralajmërimet për fillimin e procesit të heqjes së sanksioneve ndaj Sirisë pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit.
Kosova ishte kurthuar në masa të dyfishta sanksionuese nga Washingtoni e Brukseli në qershor të 2023-s.
Duke marrë vëng nga ngjarjet në veri të Kosovës, Bashkimi Evropian pati vendosur ‘masa të kthyeshme të përkohshme.’
Pasoja e pasoja…
Nga ajo kohë e deri më sot janë bërë 666 ditë nën masa me pak e hiç përpjekje për t’i hequr ato.
Këto masa ndëshkuese përfshinin: pezullim të aplikimeve të reja në fondet e BE-së, ashtu sikundër edhe pezullim të takimeve të niveleve të larta mes institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve të shteteve anëtare.
Rrjedhoja më negative e masave të tilla ishin në financat publike të vendit, të cilat kësisoj goditeshin drejpërdrejtë nga prerja e financimeve për projekte të reja.
Për shkak të gjendjes hallligë të ekonomisë së vendit, fondet e BE-së çmohen si kontribut domethënës për financat publike. Megjithëse sot e gjithë ditën nuk ekziston një pasqyrë e saktë mbi humbjet financiare, dëmi më i madh nga sanksionet e BE-së është ai i humbjes së mundësive më shumë sesa ai i humbjes së fondeve.
Degradim takimesh
Përtej dimensionit thjeshtësisht ekonomik, sanksionet krijuan një plasaritje në reputacionin e jashtëm të Kosovës. Masat e tilla synonin të bënin me gisht e të turpëronin (‘name and shame’) qeverinë e Republikës së Kosovës, duke e izoluar udhëheqësinë e saj.
Në këtë paketë ishin paraparë pezullimi i ftesave për pjesëmarrje në ngjarje të nivelit të lartë apo vizita të dyanshme nga BE dhe shtetet anëtare.
Një krahasim numerik është i mjaftueshëm për të vlerësuar përmasat e ndikimit: nëse vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2022, kryeministri Albin Kurti pati 21 takime me krerë të institucioneve të BE-së apo të shteteve anëtare, një vit më vonë, për po të njëjtën periudhë, ra në 14 takime.
Mjet disiplinimi
Sanksionet, në formë masash kufizuese, konsiderohen si mjet thelbësor i politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë të BE-së, me anë të të cilave Brukseli synon të parandalojë konflikte apo t’iu përgjigjet shfaqjes së krizave.
Me anë të masave kufizuese synohet që të vihen në jetë ndryshime politikash apo veprimesh të caktuara të vendeve të shënjestruara, ashtu sikurse edhe ndaj entiteteve apo individëve që janë përgjegjës për përvijim politikash a veprimesh problematike.
Vlerësohet se BE janë në fuqi mbi 40 sanksione të ndryshme, ku disa prej tyre janë të obliguara prej Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kurse të tjera janë vendosur në mënyrë të pavarur nga BE.