Lajme
“Korrupsioni serioz i Qeverisë”, “Korrupsioni shqetësues” | Nga ShBA vijnë dy raporte tronditëse për Qeverinë Kurti
Demokracia
15:50 | 24 Prill 2024

Share:

Brenda tri ditësh janë publikuar dy raporte tronditëse për Qeverinë e Kosovës, që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti.

Të dyja këto raporte kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njëri është shtetëror i publikuar Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), tjetri i organizatës ndërkombëtare “Freedom House”, shkruan Demokracia.com.

Kualifikimi që është përdorur në këto dy raporte për të përshkruar korrupsionin në Kosovë, e cila nga viti 2021 qeveriset nga Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, është mjaft i rëndë.

22 PRILL 2024 – DASH: KORRUPSIONI SERIOZ I QEVERISË

Në raportin e publikuar nga Departamenti i Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2023 mbi Praktikat e Vendeve për të Drejtat e Njeriut, thuhet se nuk pati ndryshime domethënëse gjatë vitit 2023 për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Sipas raportimit nga “Zëri i Amerikës”, që i pari publikoi artikullin për këtë raport, përmendet edhe “korrupsioni serioz i Qeverisë”.

“Të dhënat e publikuara në këtë raport thonë se ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit, kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve, korrupsioni serioz i qeverisë, dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve, si dhe krimet e dhunshme apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera”, njoftoi “Zëri i Amerikës” më 22 prill 2024.

24 PRILL 2024 – “FREEDOM HOUSE”: KORRUPSIONI ÇËSHTJE SERIOZE SHQETËSUESE NË KOSOVË

Goditja e dytë për Qeverinë Kurti nga përtej Atlantikut, vjen dy ditë më pas, më 24 prill, përmes organizatës ndërkombëtare “Freedom House”, me seli në Uashington, e cila ka publikuar raportin vjetor për vitin 2023, me titull “Nations in Transit 2024”.

Në këtë raport vlerësohet se Qeveria aktuale e Kosovës dukshëm nuk ka arritur të përmirësojë funksionimin e brendshëm të shtetit apo zbatimin efektiv të reformave, pavarësisht stabilitetit në qeverisje, meqë Lëvizja Vetëvendosje – partia në pushtet gëzon shumicën në Kuvend.

Raporti i “Freedom House” ndër të tjera ka vlerësuar se korrupsioni në Kosovë “vazhdon të mbetet një çështje serioze shqetësuese në Kosovë”.

Kosova, sipas raportit të Freedom House, nuk ka pasur një strategji formale kundër korrupsionit që nga viti 2018.

“Qeveria e Kosovës ka hartuar një strategji kundër korrupsionit që nga maji i vitit 2023, por procesi është ndërprerë për shkak të divergjencave të brendshme brenda grupit punues, gjë që rezultoi me deklarata publike në maj ku kryeministri Kurti akuzoi opozitën për bllokim të progresit”. /Demokracia.com/

Të ngjashme