Koreja Veriore ka pretenduar se sateliti i saj spiun, i lëshuar rishtazi, ka dërguar në Tokë fotografi “të hollësishme” të Shtëpisë Së Bardhë, të Pentagonit dhe të aeroplanmbajtëseve amerikane, të cilat janë shikuar nga udhëheqësi i shtetit, Kim Jong-un.
Ekzistenca e këtyre fotografive nuk është vërtetuar në mënyrë të pavarur dhe ekspertët thonë se është shumë herët për të përcaktuar nëse sateliti spiun “Malligyong-1” është duke funksionuar si duhet, një javë pas lëshimit të tij, raporton gazeta “The Guardian”.
Të martën, agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA, tha se Kimi, i cili e kishte shikuar nisjen e satelitit e pastaj kishte mbajtur një gosti për shkencëtarët dhe punëtorët e programit hapësinor, i kishte shikuar fotografitë e dy ndërtesave qeveritare amerikane, të cilat ishin bërë të hënën në mbrëmje.
Sipas kësaj agjencie, sateliti spiun ka bërë fotografi edhe të një baze detare amerikane, të një kantieri detar dhe të një fushe ajrore në Virgjinia dhe se në këto pamje shihen katër aeroplanmbajtëse bërthamore të ShBA-së dhe një aeroplanmbajtëse britanike.
Regjimi në Penjan do të mundohet që të nxjerrë vlerë maksimale të propagandës nga lëshimi i këtij sateliti, veprim që u dënua menjëherë nga Uashingtoni dhe i rriti tensionet përgjatë kufirit të armatosur rëndë mes dy Koreve.
Koreja Veriore ka pretenduar, gjithashtu, se sateliti ka bërë fotografi të instilacioneve ushtarake në Kore të Jugut si dhe në territorin amerikan të Paqësorit, Guam, si dhe në Hawai. Asnjëra nga fotografitë nuk është bërë publike.
Zyrtarët ushtarakë në Kore të Jugut thonë se besojnë që sateliti i vendit fqinj ka hyrë në orbitë, por deri më tani nuk kanë arritur që të tregojnë nëse kjo pajisje është e aftë për të bërë për të dërguar fotografi në Tokë nga hapësira.
Lëshimi i këtij sateliti nga Koreja Veriore mendohet se është bërë i mundshëm përmes ndihmës teknologjike nga Rusia. Dërgimi i tij në qiell nxiti skena zemërimi të hënën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Uashingtoni e akuzoi Penjanin për shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit.