Kuriozitete
Kopenhageni shpallet qyteti ‘më i lumtur’ në botë
Demokracia
00:01 | 11 Maj 2025

Share:

Edicioni i gjashtë i Indeksit të Qyteteve të Lumtura (Happy City Index) ka renditur qytetet më të lumtura në botë bazuar në gjashtë faktorë kyç: mirëqenia, qeverisja, mjedisi, ekonomia, shëndeti dhe lëvizshmëria. Qytetet janë vlerësuar jo për të shpallur një fitues absolut, por për të nxjerrë në pah ata që kultivojnë lumturinë për të gjitha grupmoshat dhe shtresat sociale, përmes politikave gjithëpërfshirëse dhe zgjidhjeve të prekshme në jetën e përditshme.

Në krye të renditjes globale, në kategorinë “e artë”, ndodhet Kopenhageni, kryeqyteti danez, me 1039 pikë, falë përkushtimit të tij ndaj arsimit cilësor, inovacionit, kërkimit shkencor dhe pjesëmarrjes demokratike. Ai është gjithashtu i njohur për stilin e jetesës “hygge” – një koncept danez që nxit thjeshtësinë, qetësinë dhe lidhjet njerëzore, i cili ndikon drejtpërdrejt në nivelin e lumturisë së banorëve.

Në vendin e dytë renditet Zyrihu me 993 pikë, ndërsa Singapori vjen i treti me 979 pikë. 15 nga 20 qytetet e para në renditje janë europiane, çka tregon përkushtimin e kontinentit ndaj cilësisë së jetës dhe zhvillimit të qëndrueshëm urban.

Indeksi nuk synon të japë një përgjigje të vetme për lumturinë urbane, por të identifikojë qytete që zbatojnë politika të balancuara mes zhvillimit ekonomik, kujdesit mjedisor dhe mirëqenies sociale, duke krijuar një model frymëzues për qytetet e tjera të botës.

Të ngjashme
Kuriozitete • 09 Maj 2025