Lajme
Koordinatori i IHK-së: Vërshimet në Pejë nuk kanë qenë si rezultat i lumenjve, por si rezultat i infrastrukturës së dobët
Demokracia
19:26 | 25 Qershor 2023

Share:

Reshjet e dendura të shiut mbrëmë kanë shkaktuar vërshime në Komunën e Pejës, kështu duke shkaktuar përmbytje dhe bllokime në rrugët e këtij qyteti. Si pasojë e vërshimeve kanë humbur jetën dy qytetarë.

Koordinatori dhe parashikuesi i motit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, Besim Aliu ka bërë të ditur se reshjet e shiut mbrëmë në Pejë kanë qenë 58 litra për metër katrorë.

Aliu ka thënë për Klan Kosovën se vërshimet nuk kanë qenë si rezultat i lumenjve, por si rezultat i infrastrukturës së dobët

“Reshjet e mbrëmshme kanë qenë 58 litra për metër katrorë. Vërshimet nuk kanë qenë si rezultat i lumenjve, por si rezultat i infrastrukturës së dobët. Reshjet e shiut kanë filluar në orën 19:35 dhe kanë përfunduar në orën 20:44. Reshje nuk ka pasur në fshatrat përreth Pejës, por veç në qytet.” – ka thënë ai.

Aliu gjithashtu ka treguar se lumi Bistrica në Pejë, nuk paraqet rrezik, pasi sipas tij nuk është mbushur edhe aq sa niveli maksimal.

Të ngjashme