Diplomatit Prindon Sadriut, i cili është edhe bashkëshort i presidentes Osmani, i ka skaduar misioni diplomatik katërvjeçar në Maqedoninë e Veriut. Kjo konfirmohet edhe nga evidencat zyrtare të MPJD-së. Megjithatë, kjo po “sfidohet” prej interpretimit të tij, të cilin ia demanton edhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike (1961).
Demokracia.com posedon evidenca të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku figuron se bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, ishte emëruar Ministër në Mision në Maqedoninë e Veriut më 15 korrik 2019, me mandat katërvjeçar, të cilit i ka përfunduar mandati më 15 korrik 2023.
Kjo konfirmohet edhe në përditësimin e të dhënave që ishte bërë më 3 shkurt 2023, kur Sadriu kishte gjithsej 3.6 vjet shërbim diplomatik atje, katër muaj para përfundimit të misionit. Por, ministria e drejtuar nga Gërvalla është dorëzuar para tij, duke ia dhënë “komoditetin” atij edhe për interpretimin e ligjit. Madje, edhe në kundërshtim me rregulloren e komunikimit me publikun të diplomatëve të Kosovës.
Sadriu e kishte mohuar për Nacionale.com se i ka skaduar mandati, duke dhënë një interpretim krejt ndryshe mbi atë sesi merret dhe si fillon mandati, siç pretendon ai, “me njoftimin dhe akreditimin tim në Ministrinë e Punëve të Jashtëm të shtetit pritës”.
“Ajo që keni dërguar ju nga AKK tregon për datën e nxjerrjes së vendimit për dërgim jashtë”, kishte thënë Sadriu për emërimin e tij, ditë prej kur zyrtarisht fillon ta marrë edhe pagën në përputhje me emërimin e ri.
Bazuar në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike (1961), përkatësisht në nenin 10 të saj, obligohet Ministria e Punëve të Jashtme e shtetit pritës, ose ndonjë ministri tjetër që mund të jetë rënë dakord, që të njoftohet për: (a) Emërimin e anëtarëve të misionit, ardhjen e tyre dhe largimin e tyre përfundimtar ose përfundimin e funksioneve të tyre në mision.
Pra, sipas kësaj konvente duhet të përcaktohet edhe data e përfundimit të mandatit.
Sipas këtij neni, Kosova e ka pasur për obligim që ta lajmërojë MPJ-në e Maqedonisë së Veriut se diplomati në fjalë është emëruar në misionin diplomatik në Shkupin zyrtar për një mandat, nëse ndërkohë atij nuk i është zgjatur mandati në mënyrë të fshehtë, që ai të vazhdojë të marrë pagën e majme mujore prej rreth 3 mijë eurosh, ndonëse gjatë gjithë mandatit të tij më shumë ka qëndruar në Kosovë sesa në Ambasadën e Kosovës në Shkup, ku i ishte besuar misioni që të shërbente.
Po ashtu, përkundër që si Zotëri i Parë e shoqëron mjaft shpesh presidenten Osmani në shumë aktivitete të saj publike, duke mos arritur kështu që ta ushtrojë si duhet misionin e besuar në Shkup, Sadriu nuk e kishte parë të arsyeshme as që ta ngrinte pozitën e diplomatit, sepse ashtu nuk do të mund ta merrte më pagën nga MPJD.
Sipas Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës, kohëzgjatja e rregullt e shërbimit është vetëm 4 vite.
“Kohëzgjatja në misionet diplomatike: Përfaqësuesit diplomatikë qëndrojnë në shërbim në të njëjtin mision diplomatik për një periudhe katër (4) vjeçare, ose ndryshe siç kërkohet për të përmbushur nevojat e Ministrisë dhe në diskrecion të Ministrit të Punëve të Jashtme”, thuhet në ligj.
MPJD ende nuk e ka parë të arsyeshme që ta sqarojë këtë çështje dhe nuk ka treguar nëse atij i është vazhduar mandati në misionin diplomatik në Maqedoninë e Veriut. /Demokracia.com/