Grupi i punës i Konventës Kombëtare të BE-së për Kapitullin 35 dënoi sot me një deklaratë paraqitjet publike të ministrit serb të Punëve të Brendshme, Aleksandër Vulin i cili vazhdimisht iu referohet shqiptarëve të Kosovës “shiptarë”.
Në këtë deklaratë thuhet se Vulin me këtë referim, fyen dinjitetin e pakicës kombëtare shqiptare që jeton në Luginën e Preshevës dhe të popullit shqiptar në tërësi, transmeton Demokracia.com.
Në deklaratë po ashtu vlerësohet se paraqitjet e tilla të një zyrtari të lartë serb cenojnë dinjitetin e institucioneve serbe, e mbi të gjitha të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në faqen zyrtare të së cilës është publikuar fjalimi i Vulinit.
Termi ‘shiptari’ në Serbi ka marrë hov në përdorim në kohën kur në pushtet atje kishte ardhur Sllobodan Millosheviq. Ai këtë term e përdorte duke dashur t’i diferenconte shqiptarët e Kosovës nga shqiptarët tjerë në Ballkan.
Aleksandar Vulin është ish zëdhënës i ish partisë së gruas së Sllobodan Millosheviqit, JUL. Ai njihet për gjuhën e tij fyes dhe të ashpër ndaj Kosovës, megjithatë vazhdon të mbetet njeri i rëndësishëm i Aleksandar Vuçiqit. /Demokracia.com/