Lajme
Kontrolle e masa disiplinore, Kryeministria i kërcënon shërbyesit civilë për moszbatimin e masave për energjinë
Demokracia
11:01 | 20 Shtator 2022

Share:

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, ka miratuar masat detyruese për kursim të energjisë në institucione të nivelit qendror, lokal dhe në ndërmarrje publike.

Qeveria e Kosovës përmes një e-maili, sot i ka kërcënuar institucionet shtetërore se do të përballën me masa disiplinore, në rast se nuk e zbatojnë vendimin e Qeverisë Kurti për masat detyruese për kursim të energjisë.

Demokracia.com ka siguruar e-mailin që zyra e Kurtit ua ka dërguar sot në mëngjes shërbyesve civilë përmes të cilit i kërcënon me masa në rast të mos zbatimit të këtij vendimi.

Masat detyruese për kursim të energjisë në institucione të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrje publike përfshijnë:

1. Të zëvendësohen poçet standard në poçe LED në të gjitha institucionet e nivelit qendror dhe lokal si dhe në ndërmarrjet publike.

2. Të ndalet ngrohja në ato zyre apo objekte ku nuk ka prezencë fizike, si dhe në të gjitha korridoret.

3. Të ndalet ngrohja e ujit në objektet e institucioneve publike (ndalimi i përdorimit të bojlerëve), përveç në institucione si spitalet dhe entitetet e ngjashme, ku uji i ngrohtë është i domosdoshëm.

4. Në rastet ku uji i ngrohtë është i domosdoshëm, obligohen institucionet e nivelit qendror dhe lokal, si dhe ndërmarrjet publike të bëjnë mirëmbajtjen dhe pastrimin/ ndërrimin e ngrohësve të ujit.

5. Të ndalen pajisjet elektrike (pajisjet e teknologjisë informative, etj.), në rastet kur nuk përdoren për një periudhë më të gjatë se 10 minuta.

6. Të ndalohet përdorimi i klimave (kondicionerëve), përveç në rastet kur nuk ka alternativa tjera për ngrohje.

7. Të ndalohet përdorimi i ngrohësve omik (ngrohësve me energji elektrike).

8. Të mos përdoret ndriçim në hapësira të brendshme dhe zyrat e objekteve publike gjatë periudhës kur ka dritë të mjaftueshme natyrore.

9. Të ndalet çdo billboard apo reklamë që shfrytëzon energjinë elektrike.

10. Të ndalet ndriçimi dekorativ në të gjitha objektet.

11. Aty ku është e mundshme të instalohen sisteme inteligjente për menaxhimin e konsumit të energjisë (si dritat me senzorë, valvulat termostatike, etj).

12. Objektet të cilat ngrohen përmes sistemeve të ngrohjes qendrore të funksionalizojnë potencialin e ngrohjes maksimalisht në dimër, duke ndërmarrë hapa të mirëmbajtjes dhe pastrimit të sistemit.

13. Të bëhet sanimi i rrjedhjeve të ujit për zvogëlimin e shpenzimit të energjisë elektrike.

14. Zyrtari Kryesor Administrativ i institucionit të nivelit qendror dhe lokal dhe Zyrtari Kryesor Administrativ i ndërmarrjes publike, të caktojë brenda institucionit një person përgjegjës për kursim të energjisë.

15. Personi përgjegjës i caktuar sipas pikës 14 të këtij Vendimi, ka përgjegjësi:

Të ndalë të gjitha dritat dhe pajisjet elektrike pas orës 16:00;

15.2. Të ndalë të gjithë ndriçimin, i cili nuk është i domosdoshëm për siguri fizike të objektit gjatë natës;

15.3. Të sigurohet që gjatë orarit të punës prej orës 08:00 deri në 16:00, temperatura për ngrohjen e hapësirave të jetë jo më shumë se 19 gradë;

15.4. Të sigurohet që pas orës 16:00 deri të nesërmen në ora 07:00 temperatura e ngrohjes të zbritet në minimum (kur ngrohja bëhet me energji elektrike) në rastet kur është e mundshme;

15.5. Të sigurohet që të gjitha dritaret e objektit janë të mbyllura.

B. Masat detyruese për ndriçimin publik

1. Të ndalohet i gjithë ndriçimi publik gjatë periudhës së ditës, kur ka dritë të mjaftueshme natyrore.

2. Të ndalohet i gjithë ndriçimi dekorativ në hapësira publike.

3. Të minimizohet (ndalet çdo e treta llambë) ndriçimi publik në autostrada dhe rrugë regjionale deri në masën e domosdoshme, për aq sa nuk përbën rrezik për sigurinë e qytetarëve dhe funksionimin normal të komunikacionit.

4. Të ndalet ndriçimi në hapësirat e monumenteve historike, lapidarëve dhe muzeve. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme
Lajme • 29 Qershor 2024