Lajme
Kontrata e Kosovës me MCC-në, kështu do të shpenzohen 236 milionë dollarët amerikanë
Demokracia
23:08 | 27 Korrik 2022

Share:

Qeveria e Kosovës dhe MCC-ja sot e kanë nënshkruar në Uashington marrëveshjen për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, që përqendrohet në projekte të energjisë.

Kontrata e Kosovës me MCC parasheh implementimin e tri projekteve, të cilat janë të precizuara në saktësi në marrëveshjen që Kosova sapo e ka nënshkruar me SHBA-në.

Sipas marrëveshjes, Kosova do të krijojë një fondacion të ri jo-qeveritar për të zbatuar programin, shkruan Demokracia.com.

Në marrëveshje thuhet se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi në mbikëqyrjen dhe menaxhimin e zbatimit të këtij programi.

Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, Qeveria do të themelojë një fondacion të pavarur në pajtim me kornizën ligjore, që ka për detyrë të mbikëqyrë, menaxhojë dhe zbatojë programin, duke përfshirë edhe menaxhimin e zbatimit të projekteve dhe aktiviteteve, ndarjen e fondeve dhe menaxhimin e aktiviteteve të prokurimit.

“Kohë pas kohe, MCC mund të ofrojë këshillime dhe udhëzime për Qeverinë në të shkruar në çështje që ndërlidhen me programin Kompakt, financimin nga MCC ose edhe me zbatimin e programit. Qeveria do të shfrytëzojë këto këshilla në zbatimin e programit”, thuhet në këtë marrëveshje.

Ky fondacion do të udhëhiqet nga Bordi i Drejtorëve dhe Njësia Operative. Bordi i drejtorëve do të përbëhet nga një përfaqësues nga zyra e presidentes, një nga zyra e kryeministrit, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ekonomisë, Mjedisit dhe Arsimit.

Përveç këtyre përfaqësuesve, në bord marrin pjesë edhe një përfaqësues i sektorit privat, si dhe dy përfaqësues të sektorit të shoqërisë civile.

Programi do të ndihmojë Kosovën në dekarbonizim, ku përfitojnë të gjithë qytetarët Kosovës.

Programi Kompakt konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë. Në marrëveshje thuhet se programi është në pajtim me planin kombëtar të Kosovës për energji të ripërtëritshme të vitit 2013, që ka për qëllim të rrisë kontributin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në miksin energjetik në 25 për qind.

“Vendosja e projektit të ruajtjes së energjisë elektrike dhe zhvillimi i fuqisë punëtore më të fuqishme, me më shumë shkathtësi dhe më diverse në sektorin e energjisë së ripërtëritshme dhe magacinimit të energjisë do të ndihmojë Kosovën të arrijë të zvogëlojë emetimet e karbonit dhe në përkushtimin e saj për ekonomi me zero emetime”, thuhet në marrëveshje.

MCC-ja mëton që përmes këtij programi të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, derisa furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik po sfidon atë.

Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Në marrëveshje thuhet se nga programi do të përfitojnë përafërsisht 1.8 milionë njerëz.

Kjo për shkak të pritjeve se nga projekti i magacinimit të energjisë do të përfitojnë të gjithë konsumatorët e kyçur në rrjet në Kosovë dhe pothuajse të gjithë banorët janë të kyçur në këtë rrjet. Kjo përfshin edhe përafërsisht 65 mijë përfitues të etiketuar si “të varfër” dhe 379 mijë përfitues të etiketuar si “gati të varfër”, thuhet në marrëveshje. /Demokracia.com/

Të ngjashme