Lajme
Kontraktori i Lëvizjes Vetëvendosje ishte angazhuar në kontratën e KQZ-së për furnizimin me markerë për shënjimin e votuesve
Demokracia
12:22 | 11 Shkurt 2025

Share:

Në zgjedhjet parlamentare të fundjavës së kaluar, qytetarët e Republikës së Kosovës morën pjesë në një proces demokratik të rëndësishëm. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përgatiti me kohë infrastrukturën për këtë ngjarje, duke përfshirë furnizimin me materiale të nevojshme për realizimin e zgjedhjeve, shkruan Demokracia.com.

Për të garantuar sigurinë e votimit, një nga aspektet kyç ishte përdorimi i ngjyrës matrikulare për shënjimin e votuesve, e cila u shpërndau përmes markerëve të posaçëm.

Për këtë qëllim, KQZ zhvilloi një tender, ku tre operatorë ekonomikë konkuruan për kontratën. Oferta më e mirë u paraqit nga “Ndërmarrja Tregtare Grafike Blendi O.P.”, e cila fitoi kontratën me një vlerë prej 16,638.00 euro. Megjithatë, Demokracia.com ka gjetur se kjo kompani është kontraktore e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet.

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus kishte ndarë tri “vëzhgime” nga procesi zgjedhor që tashmë ka përfunduar.

Sikurse shumw qytetarë, edhe Krasniqi deklaroi se ngjyra shënjuese po fshihet lehtësisht.

Ai theksonte se kjo rrit rrezikun për votim të dyfishtë. “Kabina e votimit është më e ulët dhe votuesit ulen në bankë, gjë që rrit rrezikun e cenimit të fshehtësisë së votës, veçanërisht kur një votues tjetër qëndron në këmbë”, kishte deklaruar Krasniqi.

“Mundësia për të votuar deri në dhjetë kandidatë në listë është e panevojshme, pasi sondazhet tregojnë se shumica e qytetarëve mezi arrijnë të zgjedhin katër preferenca. Ky proces jo vetëm që e ngadalëson votimin dhe numërimin e votave, por gjithashtu forcon kontrollin e liderëve partiakë mbi deputetët. Kandidatët lokalë do ta kenë shumë më të vështirë të zgjidhen, ndërsa do të favorizohen të preferuarit e liderit, të cilët përfitojnë më shumë hapësirë mediatike”, theksoi ai.

Demokracia.com ka raportuar disa herë se kompania Ndërmarrja Tregtare Grafike Blendi O.P është gjithashtu një bashkëpunëtor i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kontraktor i kësaj partie.

Bazuar në Raportin Vjetor Financiar të publikuar në KQZ, për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2023, Vetëvendosje nga kompania “Blendi” ka blerë mallra në vlerë prej 6120 euro.

Po ashtu, bazuar në raportin e vitit 2022, te kompania e njëjtë, Vetëvendosje ka blerë mall në vlerë prej 6,300.32 euro.

“Shtypja e materialeve reklamuese”. Kështu quhet shërbimi që Vetëvendosje e kishte blerë nga NTG “Blendi” në vlerë prej 10, 015.26 euro në vitin 2021. Në këtë formular janë paraqitur financuesit e partisë dhe disa kompani nga të cilat janë blerë shërbime për fushatë.

“Ndërmarrja Tregtare Grafike Blendi O.P”, si aktivitet primar e ka “Aktivitetet e tjera botuese”, ndërsa sekondar “Shtypje të tjera”. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme