Lajme
Konsumatorët ankohen për çmime të larta të perimeve
Demokracia
21:31 | 11 Shtator 2023

Share:

Çmimet e prodhimeve bujqësore vendore janë ngritur dukshëm këto ditë. Konsumatorët ankohen se këto çmime janë të papërballueshme për ta. E, në anën tjetër, tregtarët shprehen se në ngritjen e çmimeve ka ndikuar në masë të madhe mungesa e perimeve.

Krahas çmimeve të ngritura të perimeve, qytetarët kanë filluar përgatitjet për vjeshtë.

Megjithatë, pakënaqësitë nuk mungojnë.

Sipas pensionistëve, këto çmime janë vështirë të përballueshme, nisur nga fakti se me pensionin që e marrin në muaj e kanë të vështirë për të mbijetuar.

Për ngritjen e çmimeve të perimeve, konsumatorët po fajësojnë edhe institucionet e shtetit, të cilat, sipas tyre, po ua mundësojnë tregtarëve t’i ngrehin çmimet ashtu siç duan.

Në anën tjetër, shitësi i perimeve, Bajram Sopa thotë se kërkesa e konsumatorët për të blerë perime është shumë e madhe dhe e mohon të ketë shumë ankesa për çmimet e tyre.

Ekonomisti Mustafë Kadriaj e sheh normale ngritjen e çmimeve nga ana e tregtarëve, pasi gjithsecili, sipas tij, e shfrytëzon mundësinë që i krijohet.

Por, ai thekson se nëse të njëjtat nuk janë në përputhje me ligjin, institucionet duhet marrë masa.

Në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuar ditë më parë është thënë se çmimi i perimeve është ngritur 28 për qind, ndërsa i pemëve 11. 4 për qind.

Të ngjashme