Lajme
Konkursi për prokurorët e rinj, njëri nga të përzgjedhurit familjar i anëtares së Komisionit
Demokracia
21:56 | 14 Qershor 2024

Share:

Emri i Dardan Makollit është në listën e kandidatëve të përzgjedhur në konkursin për prokurorët e rinj. Mirëpo Makolli ka lidhje familjare me një prej anëtarëve të Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, Jeona Makolli Grantolli.

Rezultatet janë publikuar tek të premten, ndërkaq emri i Makollit renditet i 26-i në listë me 38.4 pikë.

Në kuadër të konkursit për rekrutimin e 24 prokurorëve të rinj të shtetit, më 9 qershor është mbajtur testi me shkrim në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Burimet e Reporterit kanë bërë me dije se në këtë proces mund të ketë konflikt interesi, për shkak se kandidati, Makolli, e ka vajzë të xhaxhait prokuroren, Jehona Makolli Grantolli, e cila është caktuar si anëtare e Komisionit më 15 janar të këtij viti. Rrjedhimisht, nga lidhja e tyre familjare, ka dyshime se prokurorja Makolli Grantolli mund të ketë pasur ndikim në përzgjedhje.

Sipas burimeve të gazetës, kandidati Makolli është në mesin e atyre që kanë pasur më së shumti sukses në këtë test.

Nga Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë thënë për Gazetën Reporteri se nuk ka pasur ankesa nga ana e kandidatëve pas përfundimit të testit me shkrim. Të njëjtit kanë pretenduar se nuk ka pasur konflikt interesi gjatë procesit, i cili është monitoruar nga përfaqësuesit e EULEX-it dhe OSBE-së.

“Ju njoftojmë se në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), pas përfundimit të Testit me Shkrim, më datën 9 qershor 2024, nuk ka pasur ankesa nga ana e kandidatëve për prokurorë të shtetit dhe nëse ka të tilla do t’i shqyrtojë Komisioni për Rishqyrtim. Gjithashtu, ju njoftojmë se nuk ka pasur as konflikt interesi gjatë këtij procesi dhe se tërë procesi është monitoruar nga përfaqësuesit e EULEX-it dhe OSBE-së”, thuhet në përgjigjen e KPK-së.

Emërimin e prokurores Makolli Grantolli në cilësinë e anëtares së Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit e ka vendosur KPK-ja.

“Ju njoftojmë se Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit është duke vazhduar procesin e vlerësimit të testeve me shkrim për kandidatët për prokurorë të shtetit dhe lidhur me rezultatet do të njoftoheni me kohë, kurse anëtarja e KPK-së, znj.Jehona Grantolli, është caktuar me vendim të KPK-së, më 15 janar 2024, në cilësinë e anëtares së Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit”, thanë nga KPK për Gazetën Reporteri.

Ndryshe, sipas njoftimit zyrtar nga KPK-ja, në testin me shkrim kanë marrë pjesë 281 kandidatë, prej tyre 150 burra dhe 131 gra, nga të cilët dy janë pjesëtarë nga radhët e minoriteteve.

Ky test është zhvilluar në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve ndërkombëtarë të EULEX-it dhe OSBE-së, me ç’rast paraprakisht Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit ka hartuar pyetjet për kandidatët që fituan të drejtën për të marrë pjesë në këtë testim.

Rezultatet janë publikuar tek të premten, ndërkaq emri i Makollit renditet i 26-i në listë me 38.4 pikë.

Të ngjashme