Kryekuvendari Glauk Konjufca ka treguar se si është ndjerë në momentin kur opozita bënte zhurmë me shishe në Kuvend gjatë mbajtjes së seancës.
Konjufca tha se veprimet e tyre nuk e acaruan atë, e që sipas tij, nuk e kishte kuptuar ende pse kryekuvendarët e mëhershëm u acaronin kur opozita bllokonte mbajtjen e seancës.
“Më ndodhi një fenomen interesant. Duke i shikuar ata dhe mënyrën se si po vepronin, m’u duk e çuditshme pak, pse te kryetarët e kuvendeve të mëhershme pse ka qenë aq e irritushme. Mua nuk mu duk diçka, që të mi acaronte nervat e të dilja prej kontrolli. M’u duk si pjesë normale e jetës demokratike një shprehje e pakënaqësisë në mënyrë më radikale. Nëse do të bllokohej seanca, do t’i thirrja në mbledhje”, tha Konjufca në rtk.
Konjufca shtoi se nuk do ta ftonte Policinë për zhbllokimin e seancës, nëse ky bllokim do të bëhet për të arritur ndonjë zgjedhje.
Ai tha se dy ose tre herë do të përpiqej të gjente zgjedhje tjetër, përveç Policisë së Kosovës.
“Unë do të përpiqem nja 2-3 herrë mos me thirr policinë e Kosovës, por nëse e shoh se bllokimi bëhet me qëllim jo për të arritur ndonjë zgjedhje por me bllokim për hirë të bllokimit, mendoj që shteti demokratik ka mekanizma që e zhbllokojnë situatën. Rregullorja ma lejon mua përdorimin e mekanizmave për t’u mbajtur seanca. Por nuk është mekanizmi i parë që më shkon në mend kur ndodhin në këso situata”, tha Konjufca.