Lajme
Konjufca shkarkon këshilltarin që e rrahu me dru bashkëshorten e tij
Demokracia
15:15 | 22 Maj 2023

Share:

Këshilltari i kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, Drilon Gashi është liruar sot nga detyra.

Lajmin e ka bërë të ditur Ilir Kërçqeli, shefi i Kabintetit të kryeparlamentarit Konjufca.

“Po, sot e kam liruar nga detyra”, ka pohuar Kërçeli.

Gashi është i dënuar nga Gjykata Themelore e Pejës për lëndim të lehtë trupor ndaj gruas së tij.

Në vendimin e gjykatës, të nxjerrë më 2018, thuhej se Gashi për shkak të disa mosmarrëveshje e kishte goditur gruan e tij me grushta dhe drunj, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Kjo ishte interpretuar ndryshe më pas nga ana e gruas së tij, Teutë Mahmutajt, e cila e kishte cilësuar si “zënkë” konfliktin me bashkëshortin e saj.

“Atëherë, para 5 viteve, gjatë procesit gjyqësor, burri im pranoi disa fakte që në të vërtetë nuk ndodhën kurrë, por ai e bëri këtë për të përfunduar sa më shpejt situata dhe për të rikuperuar marrëdhënien tonë. Ne në atë kohë nuk kishim as avokat me vete dhe fjalët që janë shkruar në procesverbal as që na kanë interesuar më vonë”, kishte thënë Teutë Mahmutaj, bashkëshortja e Gashit.

Drilon Gashi shërbente si këshilltar i kryeparlamentarit Konjufca nga viti 2021.

 

Të ngjashme