Lajme
Konjufca: Liria dhe pavarësia e Kosovës e mbajnë vulën e SHBA-ve dhe NATO-s
Demokracia
18:19 | 07 Korrik 2021

Share:

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ish-komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjeneralin amerikan Wesley Clark, i cili shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Në njoftimin e kuvendit thuhet se gjenerali Clark u shpreh i lumtur për vizitën e tij në Kosovë, përcjell Demokracia.com.

“Shfrytëzoj edhe këtë rast për t’ju shprehur Juve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirënjohjen dhe falënderimin e pafund për kontributin e jashtëzakonshëm që keni dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për mbështetjen që vendi juaj vazhdon t’i jap vendit tonë në të gjitha proceset e integrimit dhe zhvillimit të gjithmbarshëm.  Liria dhe pavarësia e Kosovës tashmë mbajnë vulën tuaj, të ShBA-ve, të NATO-s dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Republika e Kosovës do t`ju mirëpres gjithmonë si hero”, citohet të ketë thënë Konjufca.​

Njoftimi i plotë:

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ish-komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, mikun e madh të shqiptarëve, gjeneralin amerikan Wesley Clark, i cili shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Gjenerali Clark u shpreh i lumtur për vizitën e tij në Kosovë dhe e përgëzoi kryekuvendarin Konjufca për progresin dhe të arriturat që ka shënuar shteti ynë ndër vite, duke u bërë shembull impresionues i lirisë e demokracisë dhe faktor paqeje, stabiliteti e bashkëpunimi në rajon e më gjerë.

Ndërsa kryekuvendari Konjufca, pasi i dëshiroi mirëseardhje gjeneralit Clark, tha se populli i Republikës së Kosovës dhe ai personalisht ndjehen shumë të nderuar e të privilegjuar që në mesin e tyre sot gjendet ish-komandanti Suprem i NATO-s dhe miku i madh i popullit tonë, gjenerali amerikan Wesley Clark – ushtaraku i shquar i cili urdhëroi bombardimet e Aleancës Veriatlantike mbi caqet serbe, duke i dhënë fund kapitullit të dhimbshëm të historisë sonë dhe duke ndaluar kështu gjenocidin e Serbisë mbi popullin shqiptar në Kosovë.

“Shfrytëzoj edhe këtë rast për t’ju shprehur Juve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirënjohjen dhe falënderimin e pafund për kontributin e jashtëzakonshëm që keni dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për mbështetjen që vendi juaj vazhdon t’i jap vendit tonë në të gjitha proceset e integrimit dhe zhvillimit të gjithmbarshëm.

Liria dhe pavarësia e Kosovës tashmë mbajnë vulën tuaj, të ShBA-ve, të NATO-s dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Republika e Kosovës do t`ju mirëpres gjithmonë si hero”, tha kryekuvendari Konjufca.​/Demokracia.com/

Të ngjashme