Lajme
Konjufca: Ekipi menaxhues prezantoi interesat e Serbisë, jo të Kosovës
Demokracia
13:15 | 03 Maj 2023

Share:

Kryekuvendari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se ishte e pritur ajo që ndodhi të martën në takimin në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se Ekipi menaxhues për hartimin e drafstatutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Bruksel paraqiti interesat e Republikës së Serbisë e jo të Republikës së Kosovës.

“Sa i përket diskutimeve në Bruksel, gjithçka ishte e pritshme lidhur me atë që ndodhi. Pra, ekipi menaxhues, i cili ishte vendosur prej qeverive të mëparshme të Kosovës pati një qëndrim vërtetë tronditës për ne. Meqenëse atje i prezantoi interesat e Republikës së Serbisë, jo interesat e Republikës së Kosovës. Pra, po e shini edhe vetë se çfarë ekipe menaxhuese edhe çfarë institucione kanë vendosur qeveritë e mëparshme. Kanë vendosur zyrtarë të cilët absolutisht nuk kanë lidhje me interesat e Kosovës, bile bile njëra prej tyre, me sa dëgjova ishte pas bërë deputete në Parlament të Serbisë dhe ishte deputete e partisë së Aleksandar Vuçiqit. Kështu që nuk patëm ne çka të presim tjetër prej këtij ekipi menaxhues. Ky ekip menaxhues e prezantoi një draftstatut i cili është një Republikë Serbe brenda Kosovës. Kjo natyrisht që është e papranueshme për Qeverinë tonë, për institucionet tona. Gjithçka do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, çdo zgjidhje që ju jepet përtej kornizave të Kushtetutës është e pavlefshme dhe mu më pëlqeu shumë dhe jam para këtij akti të Qeverisë për t’i shkarkuar ekipin menaxhues, sepse një grup, një ekip i cili përfaqëson interesat e Aleksandar Vuqiçit e jo interesat e popullit tonë, nuk ka çka të kërkojë në pozicione zyrtare edhe nuk ka se si të përfaqësojë popullin edhe qytetarët e Kosovës. Ata e përfaqësuan Serbinë ditën e djeshme, unë kam pas bërë thirrje para një jave që ky ekip të shkarkohet”, tha Konjufca.

Të mërkurën Elbert Krasniqi, ministri i Adminsitrimit të Pushtetetit Lokal në Kosovë, ka marrë vendim të lirojë nga detyra anëtarët e Ekipit menaxhues.

Konjufca ka thënë se nuk ishte befasu që personat e emëruar nga “Vuçiqi e Rakiqi, krijuan një statut për ta shkatërruar Republikën e Kosovës dhe funksionin unitar të saj”.

“Në anën tjetër kryeministri Albin Kurti, me sa e pash e prezantoi një vizion për cilat janë ato vijat e kuqe, cili është horizonti i një asociacioni të mundshëm në Kosovë, ai do të ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën tonë. Por, unë jam i bindur që në përputhje me Kushtetutën tonë, kjo nuk është diçka që është e pranueshëm për Serbinë, prandaj unë konsideroj që pozicionet janë shumë të largëta, pozicionet janë të papajtueshme mes palëve. Andaj nuk pres fare që të ketë një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo nuk mund të ndodhë pikërisht për shkak të drejtimit politik që e ka Serbia sot. Ajo është tërësisht brenda koordinatave politike të nacionalizmit fashist që e ka Serbia prej kohës së Millosheviqit prej viteve 90-ta. Nuk ka pendesë për krimet që ajo i ka kryer në Kosovë. Kështu që nuk pres kurrfarë afrimi të këtyre pozicioneve, ne do ta vazhdojmë këtë drejtim që ti mbrojmë interesat e Kosovës. Pa ndryshuar Serbia mua nuk më duket që mund të ketë një marrëveshje në një afat të shkurtër kohor”, tha Konjufca.

Të ngjashme