Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka kujtuar 2 Korrikun, ditën kur është miratuar publikisht Deklarata Kushtetuese dhe shpallja e Kosovës Republikë.
Konjufca në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se akti i miratimit, i cili u zhvillua para dyerve të ndërtesës së Kuvendit dhe në kushte shtetrrethimi nga forca të mëdha policore e ushtarake serbe, shënoi de jure pikënisjen e pavarësimit të Kosovës nga Serbia pushtuese, përcjell Demokracia.com.
Postimi i plotë:
Më 2 korrik 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës, në përfaqësim të vullnetit të popullit, miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese dhe e shpallën Kosovën Republikë.
Akti i miratimit, i cili u zhvillua para dyerve të ndërtesës së Kuvendit dhe në kushte shtetrrethimi nga forca të mëdha policore e ushtarake serbe, shënoi de jure pikënisjen e pavarësimit të Kosovës nga Serbia pushtuese.
Ky hap themeltar ishte i një rëndësie historike, sepse iu parapriu proceseve dhe ngjarjeve të tjera madhore deri te pavarësia e Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.
Në kujtim të 32-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese i përuklemi me pietet aktit patriotik të delegatëve që çuan në vend vullnetin gjithëpopullor për liri e mëvehtësi, luftës së lavdishme të UÇK-së dhe përpjekjeve e sakrificave të shumë brezave për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran./Demokracia.com/