Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, thotë se ajo çfarë po ndodhë këto ditë në Veri të Kosovës, me serbët që refuzojnë vendimin e qeverisë së Kosovës dhe largohen nga institucionet, është thjesht përgjigja e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për planin franko-gjerman, i cili, sipas Konjufcës, nuk i ka pëlqyer.
“Ajo çfarë ka ndodhur është refuzim zyrtar i Vuçiqit për planin franko-gjerman. Refuzim i planit i cili është propozuar për normalizim të marrëdhënieve. Dhe pastaj të imponojë fakte në terren. Dhe Kosova të dorëzohet. Por ne i sigurojmë qytetarët që kjo nuk do të ndodhë. Përpjekjet e Vuçiq për t’i dhënë drejtim tjetër procesit politik, ju siguroj që do të dështojnë”, deklaroi Konjufca në një konferencë për media me gazetarë.
Vuçiq, sipas Konjufcës, e refuzoi planin franko gjerman, sepse “thelbi i propozimit është ky: Serbia të heq dorë nga Kosova dhe të respektohet sovraniteti mes dy shteteve. Kjo është arsyeja kryesore pse u refuzua nga Serbia dhe pse filloi plani B i Serbisë”.