Të premten e 4 marsit, në Dhomat e Specializuara të Hagës do të mbahet konferenca e radhës për ecurinë e çështjes ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, Pjetër Shala.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku thuhet se kjo konferencë pritet të filloj në orën 14:30, shkruan Demokracia.com.
Kjo është konferenca e gjashtë mbi ecurinë e çështjes ndaj Pjetër Shalës.
Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt./Demokracia.com/