Lajme
Komuna e Prishtinës synon privatizimin e pastrimit të mbeturinave, drejtori i tij ka kompani të pastrimit në Gjermani
Demokracia
09:38 | 27 Nëntor 2024

Share:

Komuna e Prishtinës ka shpallur një tender për menaxhimin e mbeturinave për tre vitet e ardhshme, me një vlerë prej 16.5 milionë eurosh, i ndarë në gjashtë lote. Aktualisht, procedura është në fazën ku kompanitë po vlerësohen për përmbushjen e kritereve teknike. Sipas një analize fillestare, asnjë kompani në Kosovë, si entitet i vetëm nuk duket se i përmbush këto kritere. Megjithatë, tenderi ka nxitur pakënaqësi të mëdha, ku një pjesë e opozitës dhe e shoqërisë civile e kanë konsideruar atë si të kundërligjshëm. Madje, ka akuza se komuna po synon falimentimin e kompanisë rajonale “Pastrimi”, në të cilën ka aksionet më të mëdha. Por, kush është Drejtori i Shërbimeve Publike të Prishtinës që po përpiqet ta bëjë këtë ‘revolucion’? Dhe cilat janë lidhjet e tij me bizneset? Demokracia.com sjell detaje.

Pas prishjes së koalicionit, kryetari Përparim Rama emëroi në pozitën e Drejtorit të Shërbimeve Publike një biznesmen relativisht të panjohur, Bekim Brestovcin, i cili nuk është i ri në politikë. Rama dhe Brestovci tani po synojnë privatizimin e menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë, një proces që ngjall debate për konflikt interesi.

Sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), Brestovci është aksionar në tri kompani dhe anëtar bordi në dy të tjera. Në tri kompanitë ku është aksionar, ai ka raportuar se është edhe menaxher, duke krijuar një situatë që bie në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Sipas Nenit 13, paragrafi 1 dhe Nenit 14, paragrafi 1 i këtij ligji, zyrtarët e lartë nuk mund të jenë menaxherë ose anëtarë bordesh në persona juridikë privatë me përfitim.

Brestovci e ka hulumtuar mirë tregun e menaxhimit të mbeturinave, gjë që lidhet edhe me faktin se para dy vitesh ai ka qenë aksionar në kompaninë KRM “Pastrimi”.

Megjithatë, kompania më e madhe dhe aktive e Brestovcit është B&D Verwaltungsgesellschaft mbH, një kompani në të cilën Bekim Brestovci ka deklaruar se është bashkëpronar me 50% të aksioneve. Sipas të dhënave të këtij biznesi, ai është i regjistruar në regjistrin tregtar pranë Gjykatës së Qarkut në Aschaffenburg, me numër regjistrimi HRB 11505. Menaxherët e deklaruar të kompanisë janë Bekim Brestovci dhe Daniel Dauber.

Biznesi operon në disa fusha. Sipas përshkrimit në uebfaqen zyrtare të kompanisë, “B&D Verwaltungsgesellschaft mbH” është e bazuar në Hösbach pranë Aschaffenburg dhe administron disa kompani bijë. Një nga këto është AB Gebäudeservice und Management GmbH, një kompani e themeluar në vitin 1972, e cila ofron shërbime të pastrimit për të gjitha llojet e ndërtesave në rajonin Aschaffenburg dhe Rhein-Main.

Portofoli i kompanisë përfshin gjithashtu shërbime për industrinë e logjistikës dhe sektorë të tillë si “puna e përkohshme”, “huazimi i punonjësve” dhe “ndërmjetësimi i personelit”. Këto aktivitete pasqyrohen edhe në përmbajtjen e publikuar në uebfaqen e kompanisë: www.bd-verwaltungsgesellschaft.de.

V&R Verwaltungsgesellschaft mbH, një kompani tjetër e regjistruar në Gjykatën e Qarkut të Aschaffenburg (HRB 13942), ka Brestovcin si anëtar bordi. Kjo korporatë ka për qëllim pjesëmarrjen në kompani të ndryshme, veçanërisht në fushat e shërbimeve të personelit, ndërtimit dhe logjistikës.

Bazuar në të dhënat e Northdata, një platformë që ofron informacion mbi kompani dhe individë në Gjermani, vajza e Brestovcit, Vanesa Brestovci, është drejtoreshë menaxhuese në AB Gebäudeservice- und -management GmbH, themeluar nga Bekim Brestovci. Kjo kompani merret me pastrimin e ndërtesave, mirëmbajtjen e objekteve, restaurimin e dëmeve nga zjarri dhe uji, rindërtimin, administrimin e pronës dhe punësimin e përkohshëm.

Gjithashtu, Vanesa Brestovci figuron si drejtoreshë menaxhuese e B&D Immoservice GmbH, një biznes i themeluar nga Bekim Brestovci. Aktivitetet e saj përfshijnë blerjen dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, administrimin e pronave dhe mirëmbajtjen e zonave të gjelbra.

Ndër kompanitë e tjera të deklaruara nga Brestovci janë:

  • BIMET LLC: I regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) në vitin 2019, me aktivitet kryesor tregtinë me shumicë jo të specializuar. Brestovci zotëron 40% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes Vincenzo Isabella Valenzi, Vat Marashi, dhe Salvatore Oliverio.
  • VEB Facility Management SH.P.K.: Një biznes pasiv që nga 09.06.2022, i regjistruar në Kosovë me aktivitete primare të menaxhimit të patundshmërive dhe pastrimit të ndërtesave. Brestovci është bashkëpronar me Eroll Visokën.
  • EPC SH.P.K.: Një biznes tjetër i regjistruar në ARBK, i cili është pasiv që nga viti 2022.

Ky rrjet kompanish tregon një prani të gjerë të aktiviteteve të Bekim Brestovcit, si në Gjermani ashtu edhe në Kosovë, duke mbuluar sektorë nga menaxhimi i pronave deri te shërbimet logjistike. /Demokracia.com/

 

Komuna e Prishtinës shpall tenderin 16.5 milionësh për menaxhimin e mbeturinave, por kushtet teknike kufizuese mund ta pengojnë konkurrencën

Të ngjashme