Lajme
Komuna e Prishtinës shpall tender 5 milionë euro, përzien projekte të ndryshme, kërkon certifikata të diskutueshme dhe cakton afat të paligjshëm
Demokracia
10:49 | 16 Maj 2025

Share:

Komuna e Prishtinës ka shpallur sot (16 Maj 2025) një tender me vlerë 5 milionë euro për “Ndërtimi i kontejnerëve mbitokësor dhe nëntokësor, furnizimi dhe zgjerimi”- “Ndërtimi, furnizimi i kiosqeve dhe tualeteve publike”. Në dukje, bëhet fjalë për dy projekte të ndara me natyrë dhe kërkesa teknike të ndryshme, por ato janë përzier në një tender të vetëm, shkruan Demokracia.com.

Ky projekt, me një afat realizimi prej 36 muajsh, përfshin dy procese që në mënyrë logjike do të duhej të trajtoheshin veç e veç. Përveç kësaj, komuna ka vendosur specifika teknike që duhet t’i plotësojë kompania fituese, duke përfshirë certifikata ISO që në fakt nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me natyrën e punimeve.

Kërkesat për certifikata ISO janë tejet të gjera dhe disa prej tyre janë të diskutushme për këtë lloj projekti:

  • ISO 9001 (sistemi i menaxhimit të cilësisë)
  • ISO 14001 (menaxhimi mjedisor)
  • ISO 50001 (menaxhimi i energjisë)
  • ISO 39001 (siguria në trafikun rrugor)
  • ISO 1996-2 (matjet akustike)

Problemi kryesor qëndron tek certifikatat ISO 39001 dhe ISO 1996-2, të cilat janë më të orientuara drejt sektorëve specifikë, si siguria rrugore dhe matjet e ndotjes akustike, dhe nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ndërtimin e kontejnerëve apo kiosqeve dhe tualeteve publike.

Pra certifikatat ISO 39001 është për sigurinë në trafikun rrugor, e përdorur më shumë në kompani transporti ose projekte infrastrukturore si ndërtimi i rrugëve. Nuk është e lidhur me ndërtimin e kiosqeve apo tualeteve publike dhe shfaqet si kriter i tepërt në këtë rast.

ISO 1996-2:2017 është një standard teknik për matjen e zhurmës në mjedis urban. Përdoret në projekte që kanë ndikim të madh akustik, si zona industriale apo ndërtim autostradash. Në këtë projekt, është i diskutushem sepse dihet se kontejnerët dhe tualetet nuk prodhojnë zhurmë të konsiderueshme.

E diskutueshme është edhe ISO 50001:2018. Ky standard fokusohet në efikasitetin e energjisë, i cili është më i rëndësishëm për ndërmarrjet prodhuese ose objektet energji-intensive. Nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me ndërtimin e kontejnerëve ose tualeteve publike, përveç nëse parashihen pajisje komplekse elektrike që konsumojnë energji që zakonisht nuk është rasti. Qe bazuar ne paramasen e tenderit dhe projektit e ngarkuara në E- prokurim nuk duket një gjë e tillë.

Përveç kësaj, një dyshim tjetër i madh është afati i shkurtër për dorëzimin e ofertave. Tenderi është shpallur më 16 maj 2025, ndërsa afati për pranimin e ofertave është vetëm deri më 9 qershor 2025, ora 14:00, në platformën e e-Prokurimit, që jep vetëm 24 ditë kohë për përgatitjen e ofertave.

Ky afat është në kundërshtim të hapur me Ligjin për Prokurimin Publik dhe rekomandimet e KRPP-se, pasi ligji kërkon që afati për dorëzimin e ofertave për tenderët e vlerës së madhe të të jetë të paktën 40 ditë nga data e shpalljes së tenderit, për të siguruar një proces konkurrues dhe transparent. Afati i shkurtuar kufizon seriozisht mundësinë e operatorëve për të përgatitur oferta të plota dhe konkurruese, duke cenuar parimet bazë të barazisë dhe transparencës në prokurim.

Po ashtu komuna ka vendosur edhe kriteret tjera. “11.Duhet të dorëzohen mostrat ku 3D Modeli për pozicionet 1, 2 dhe 3 duhet të realizohet në shkallë 1 10, të 3D printohet prej plastike FDM, dritaret nga pleksiglasi me trashësi 3 mm dhe duhet të lyhet me ngjyrë akrilike me shkëlqim”, është një tjetër kërkesë.

Kërkesa për mostrat 3D dihet se mund të ndihmojë në vlerësimin më konkret të dizajnit dhe përputhshmërisë së tij me kërkesat. Ndërsa, përdorimi i materialeve specifike (plastikë FDM, pleksiglas 3 mm, ngjyra akrilike) mund të sigurojë standardizim në prezantimin e ofertave, duke lehtësuar krahasimin mes tyre. Por, kjo kërkesë duket më shumë e përshtatshme për projekte arkitekturore apo dizajn industrial, sesa për tenderë që lidhen me ndërtimin dhe furnizimin e kontejnerëve mbitokësor dhe nëntokësor, kiosqeve dhe tualeteve publike.

Tek kapacitete ekonomike dhe financiare, komuna ka kërkuar që “Operatori ekonomik duhet ti ofrojë dëshmi të kënaqshme Autoritetit Kontraktues se qarkullimi vjetor i Operatorit Ekonomik, gjatë tre viteve të fundit fiskale ka qenë prej jo më pak se 8,000,000.00 €”.

Projekti i dizjanimit të Kioskave dhe Tualeteve Publike është projekt në bashkëpunim mes Komunës së Prishtinës dhe zyrës projektuese 777 Architecture Studio. /Demokracia.com/

1

 

 

 

2

Të ngjashme