Lajme
Komuna e Prishtinës reagon pas akuzave të LVV-së për dhënien e tenderëve
Demokracia
11:27 | 11 Korrik 2023

Share:

Komuna e Prishtinës ka reaguar pasi ditën e hënë Lëvizja Vetëvendosje Qendra në Prishtinë, kanë akuzuar kryetarin Përparim Rama se tenderat për infrastrukturën rrugore të qytetit po marrin bashkëpunëtoret e tij.

Komuna e Prishtinës në reagimin e bërë për media thotë se LVV po shpërndanë informata të pasakta.

Në reagim thuhet se kontratat për rregullimin e rrugës B, ishin nënshkruar në vitin 2011, në kohën kur LDK nuk ishte duke qeverisur Komunën e Prishtinës.

“Shkrimi i publikuar në rrjete sociale nga “Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë” me dt. 10.07.2023 lidhur me vazhdimin e punimeve në Rrugën “B” ka përmbajtje dezinformuese dhe konsiston në shpërndarjen e informatave të pasakta. Kjo kontratë nuk ka asgjë të bëjë me emrat e përveçëm që janë përmendur në shkrimin tendencioz të shefit të grupit të asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z.Gëzim Sveçla, i cili shfrytëzon faqen e LVV në Prishtinë për të shpërndarë dezinformata”.

Tutje, në reagim thuhet se “Komuna e Prishtinës me datë 08.08.2011 ka nënshkruar kontratën me titull “Ndërtimi i rrugës B – faza e katërt”, pra kjo kontratë e prokurimit është lidhur para 12 viteve, kur  Përparim Rama dhe kabineti i tij nuk kanë qenë duke qeverisur me Komunën e Prishtinës”.

“Megjithatë, kjo kontratë e vitit 2011 nuk është zbatuar deri më tani për shkak të problemeve pronësore në zonën përkatëse”.

Komuna e Prishtinës në reagim thekson se rruga “B” po rregullohet falë përkushtimit të kryetarit Përparim Rama.

“E vërteta qëndron në faktin se vetëm përmes angazhimit dhe përkushtimit të kryetarit Rama dhe ekipit të tij, është mundësuar që pas kaq shumë viteve të vazhdohet me punimet në rrugën “B”. Kjo rrugë është me interes të veçantë, sepse është arterie, që e lidh rrugën “B” me rrugën “Xhim Xhema”, e cila do të mundësoj që të lehtësohet trafiku rrugor. Për me tepër, me këtë projekt do të trajtohen edhe ujërat zeza, të cilat deri me tani kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve në këtë pjesë të Kryeqytetit, si dhe do të krijohen mundësi të reja për të bërit biznes dhe do të rriten hapësirat për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme sociale për banorët e Kryeqytetit”.

Tutje, në njoftim thuhet se “Zhvillimi dhe transformimi i hovshëm i kryeqytetit tash ka marr formë, po punohet gjithandej me qindra projekte të investimeve kapitale, ku premtimet elektorale te Kryetarit të Kryeqytetit Përparim Rama po realizohen”.

“Ky transformim i Prishtinës, si duket nuk po i shkon për shtati Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po mundohet të njollos me propaganda linçuese çdo projekt që është në zhvillim e sipër”.

Të ngjashme