Lajme
Komuna e Prishtinës kryen pagesa prej 500 mijë eurosh për tunelin në “Agim Ramadani”, projekti ende nuk ka nisur
Demokracia
13:47 | 07 Tetor 2024

Share:

Komuna e Prishtinës ka realizuar pagesa prej rreth 500 mijë eurosh për ndërtimin e nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani”, ndonëse projekti ende nuk ka nisur. Dokumentet e publikuara nga vetë komuna e Përparim Ramës tregojnë se fondet janë transferuar nga kode buxhetore joadekuate, duke shkelur Ligjin për Buxhetin. Ndërkohë, tenderi për këtë projekt mbetet i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet komunës dhe Ministrisë së Kulturës, që duhet të lëshojë një leje për shkak të ndikimit në pjesën historike të qytetit, shkruan Demokracia.com.

Komuna e Prishtinës është duke e shkelur Ligjin për Buxhetin. Bazuar në raportet mujore të publikuara nga Komuna e Prishtinës, Demokracia.com ka zbuluar se janë duke u bërë pagesa nga kode joadekuate, pa përfillur ligjin.

Njëri nga projektet më madhore të Komunës së Prishtinës, “Ndërtimi i nënkalimit për vetura në rrugën Agim Ramadani”, zor se do të tenderohet këtë vit, megjithëse komuna ka hapur procedurën para disa muajsh. Tenderi është hapur pa përfillur Ligjin për Trashëgimi Kulturore dhe procesi ka mbetur i bllokuar në një lojë ‘ping-pongu’ ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës, e cila duhet të lëshojë një leje për intervenime në atë zonë, pasi prek pjesën historike të qytetit. Duke parë që projekti nuk po realizohet, komuna ka nisur të shpenzojë fonde të dedikuara për të. Problemi kryesor nuk është shpenzimi i fondeve, pasi komuna mund të sigurojë fonde në vitin e ardhshëm me buxhetin 2025, por mënyra sesi po realizohen këto pagesa është e paligjshme.

Bazuar në Ligjin për Buxhetin e Komunës së Prishtinës, kodi i këtij projekti është 52580. Demokracia.com ka vërejtur se të paktën dy pagesa janë kryer nga ky kod.

Në shtator një shumë prej 454,898.56 euro.

Në gusht, 43,412.18 euro të tjera.

Nuk dihet për çfarë qëllimi janë marrë këto para.

Më 9 shtator, Demokracia.com i është drejtuar Komunës së Prishtinës me këtë pyetje:

“Sipas të dhënave nga KRPP, ky projekt është ende në fazën e tenderimit, mirëpo në Raportin Financiar për muajin Gusht 2024 të publikuar nga Komuna e Prishtinës, në seksionin e investimeve kapitale – grant qeveritar, figuron një shumë e shpenzuar prej 43,412.18 euro në emër të këtij projekti. Po ashtu, në të njëjtin raport, tek kapitulli ‘Bartja e mjeteve vetanake nga vitet në vitin 2024’, është shënuar një tjetër pagesë prej 4,672.00 euro. A mund të na tregoni në emër të cilave punë të kryera janë realizuar këto dy pagesa?”.

Komuna nuk ka kthyer përgjigje, ndonëse Demokracia.com ka pritur një muaj.

Sipas nenit 18, pika 3 e Rregullores Financiare nr. 01/2013, shpenzimet publike duhet të kodifikohen në mënyrë adekuate, sipas planit kontabël. Gjithashtu, Plani Kontabël i Thesarit përcakton kodet dhe kategoritë përkatëse që Organizatat Buxhetore duhet të aplikojnë.

Nga ana tjetër, sipas nenit 16 të Ligjit për Buxhetin, paragrafi 11, ndryshimet në shumat e ndara buxhetore për projekte ekzistuese si rezultat i transferimeve dhe/ose rialokimeve, të prezantuara në tabelën 4.2, duke përfshirë edhe të hyrat vetanake të bartura, duhet të aprovohen paraprakisht nga Kuvendi Komunal.

Demokracia.com ka vërejtur se në disa raste, komuna ka marrë fonde nga projektet kapitale dhe i ka përdorur për nevoja të tjera, pa aprovimin e Kuvendit Komunal. Në këtë rast, fokusi kryesor është tek nënkalimi “Agim Ramadani”.

Ndryshimet në shumat buxhetore pa miratimin e Kuvendit Komunal mund të reduktojnë transparencën dhe llogaridhënien në vendimet rreth shfrytëzimit të fondeve publike.

Në fund të majit 2024, Komuna e Prishtinës hapi tenderin për ndërtimin e nënkalimit për vetura në rrugën “Agim Ramadani”. Vlera e projektit është 6 milionë euro. Dy milionë euro janë grant i Qeverisë së Kosovës, ndërsa pjesa tjetër nga të hyrat vetanake të komunës. Komuna dyshohet se ka përdorur fondet nga granti qeveritar, pasi nëse nuk shpenzohen ato kthehen në fondin qeveritar, ndërsa fondet e tjera të projektit mund të rialokohen për vitin e ardhshëm./Demokracia.com/

Të ngjashme