Lajme
Komuna e Prishtinës jep detaje për ndihmat ndaj qytetarëve që u infektuan me COVID-19
Demokracia
20:01 | 25 Shkurt 2021

Share:

Prishtina është duke ndihmuar me mjete financiare qytetarët e kësaj komune të cilët janë infektuar me COVID-19.

Kjo është konfirmuar për Demokracia.com në një përgjigje nga zëdhënësja e komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, e cila ka thënë se deri më tani janë paguar 467 mijë e 100 euro për 3 mijë e 965 persona të infektuar me COVID-19.

“3 mijë e 965 qytetare deri me tani janë subvencionuar. Shuma totale për këta 3 mijë e 965 qytetarë që komuna ka paguar është 467 mijë e 100 euro”, tha ajo.

Sipas Mullafazliut, në dhjetor të vitit 2020 janë rimbursuar 437 qytetarë në shumë totale prej 19 mijë e 350 euro, ndërekaq në janar të 2021-tës 7 mijë e 493 qytetarë, në shumë totale prej 447 mijë e 750 euro.

Mullafazliu tutje tregoi se është përgatitur edhe një listë prej 1 mijë e 824 qytetarë dhe shuma e cila do të ndahet është 106 mijë e 450 euro.

“3 mijë e 965 qytetarë  kanë përfituar. Po ashtu është përgatitë edhe lista me 1 mijë e 824 qytetarë të tjerë në shumë prej 106 mijë e 450 euro – dhe lista është dorëzuar në thesar për ekzekutim. Procesi i verifikimit nuk është aq i lehte siç mund të nënkuptohet, prandaj këta 1 mijë e 824 janë plotësisht të verifikuar”, tha Mullafazliu për Demokracia.com.

Më tej, ajo ka thënë se nga grantet e ndara nga komuna, përfitues deri më tani janë 952 pensionistë.

“Gjithsej kanë përfituar 952 pensionistë. Deri me sot kanë aplikuar (JO rimbursuar) 22 mijë e 600 qytetarë, nga te cilët 2 mijë e 819 pensioniste dhe 19 mijë e 871 qytetarë nën moshën 65 vjet”, tha Mullafazliu.

Kujtojmë se në fund të vitit 2020, Komuna e Prishtinës ka marrë vendim për të ndihmuar qytetarët e prekur me COVID-19.

Sipas vendimit të komunës pensionistët e infektuar me koronavirus do të ndihmohen më 100 euro, ndërsa personat e tjerë të infektuar 50 euro.

Kjo ndihmesë për qytetarët pritet që të zgjasë deri në përfundimin e pandemisë./Demokracia.com/

Të ngjashme