Lajme
Komuna e Prishtinës inicoi ndërtimin e dy projekteve pa leje dhe në kundërshtim me planet rregulluese
Demokracia
15:52 | 27 Korrik 2024

Share:

Komuna e Prishtinës ka inicuar ndërtimin e dy projekteve infrastrukturore pa leje dhe në kundërshtim me planet rregulluese, shkruan Demokracia.com.

Komuna e Prishtinës ka nisur procedurat ndërtimore për dy projekte të mëdha infrastrukturore pa leje ndërtimi, duke shkelur Ligjin për Ndërtim dhe Udhëzimin Administrativ nr. 04/2017 për kategorizimin e ndërtimeve. Projektet përfshijnë “Ndërtimin e ishullit urban Arbëri – Pallati i Rinisë” dhe “Ndërtimin e nënkalimit për vetura në rrugën Agim Ramadani”.

Demokracia.com ka zbuluar se Komuna e Prishtinës nuk ka lëshuar kushte ndërtimore dhe leje ndërtimore për këto projekte, të cilat tashmë janë në fazën e prokurimit. Zakonisht, komuna lëshon leje për të gjitha rastet e ndërtimit, rindërtimit dhe rrënimit. Demokracia.com ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës lidhur me lëshimin e lejeve për këto dy projekte, por nuk ka marrë përgjigje. Lejet e ndërtimit publikohen në ueb-faqen zyrtare të komunës dhe nuk ka asnjë leje për këto projekte.

Projektet janë hartuar nga kompania “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” dhe është paguar për to. Megjithatë, këto projekte konsiderohen të kundërligjshme pasi nuk i referohen Planit rregullues të lagjeve përkatëse dhe kushteve ndërtimore, të cilat nuk janë lëshuar. Në këtë mënyrë, projektet janë realizuar në kundërshtim me ligjin.

Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë kishte kërkuar nga komuna lëshimin e lejes ndërtimore për një projekt tjetër, por kjo leje nuk u lëshua nga Përparim Rama, ndërsa për projektet e veta, komuna fillon ndërtimet pa leje. Rama kishte deklaruar se dokumentacioni i dorëzuar nga ministria ishte i pakompletuar, por vetë ai ka nisur procesin e tenderimeve për ndërtime pa leje dhe pa kushte ndërtimore, në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Javën e kaluar, Komuna e Prishtinës ka hapur tenderin për ndërtimin e një mbikalimi që do të lidhë lagjen “Arbëria” me “Pallatin e Rinisë”. Vlera e projektit është 6,670,000.00 euro. Në këtë procedurë përfshihet edhe instalimi i pesë ashensorëve elektrikë, të cilët duhet të inspektohen dhe të pajisen me certifikatë përdorimi.

Urbanistë të ndryshëm kanë kundërshtuar ndërtimin e këtij projekti, duke argumentuar se shkel ligjin për hekurudhat për shkak të afërsisë së madhe me to.

Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinës ka hapur ofertat për tenderin “Ndërtimi i nënkalimit për vetura në rrugën Agim Ramadani”, një projekt me vlerë prej 6 milionë euro. Katër kompani janë në garë për këtë tender, por dyshimet për kurdisje janë ngritur pasi kompania shqiptare “Gjikuria” ka ofruar çmimin më të ulët. Demokracia.com ka zbuluar lidhje të dyshimta midis kësaj kompanie dhe Arkitektit të Kryeqytetit, Astrit Nixhës, i cili ka pasur bashkëpunime të mëparshme me pronarin e kompanisë “Gjikuria”, Lorenc Gjikuria.

Ndërtimet pa leje përbëjnë vepër penale sipas ligjeve të Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme