Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga LDK-ja me kryetar Përparim Ramën, ka realizuar një kontraktim të dyfishtë për të njëjtat punë që lidhen me heqjen e mbeturinave ndërtimore në kryeqytet, shkruan Demokracia.com.
Ndërmarrja Regjionale “Pastrimi”, ku Komuna e Prishtinës zotëron 70% të aksioneve, ka nënshkruar një kontratë me komunën më 29.02.2024, me numër të prokurimit 616/24/4660-2-1-1 për heqjen e mbeturinave. Çmimi për njësi (1 m³) ka qenë 3 euro, ndërsa në kontratë është përfshirë edhe heqja e mbeturinave të ngurta. Kontratat e reja janë më të shtrenjta.
Tenderi i ri i Komunës së Prishtinës, i cili është ndarë në dy kontrata (lot 1 dhe lot 2), quhet “Mbledhja, transporti, trajtimi dhe deponimi i mbeturinave të vëllimshme dhe ndërtimore”. Vlera e parashikuar e kontratës është 300,000.00 euro dhe kohëzgjatja e saj është 12 muaj. Të dyja kontratat i janë dhënë pronarëve të njëjtë: njëra në emër të burrit, tjetra në emër të gruas.
Për lotin 1 është rekomanduar kompania “Clean Work Shines” SH.P.K., në konsorcium me “SKY – GROUP SH.P.K.”. Çmimi i ofertës për njësi është 4.70 euro. Pronare dhe menaxhere e kompanisë “Clean Work Shines” është Xhevrie Gashi.
Për lotin 2 është rekomanduar kompania “DARDANIAA SH.P.K.”, në pronësi të Behram Gashit, burrit të Xhevrie Gashit. Ndërkohë, në lotin 2 ka konkurruar edhe “Clean Work Shines”, por me një çmim 1 euro më të lartë se oferta fituese.
Tenderi do të përfundojë kur të arrihet shuma prej 300,000 euro, që mund të ndodhë edhe para afatit të një viti, varësisht nga vëllimi i mbledhjes së mbeturinave, pasi çmimi është për njësi.
Është me rëndësi të theksohet se Behram Gashi, pronari i kompanisë “DARDANIAA”, për vite me radhë ka qenë Menaxher i Mirëmbajtjes dhe Autotransportit në Ndërmarrjen “Pastrimi”, por është përjashtuar nga puna para disa muajsh. Aktualisht, ai po përballet me një proces gjyqësor ndaj kësaj ndërmarrjeje. Behram Gashi, i njohur për afërsinë e tij me LDK-në, ka fituar tenderë në Komunën e Prishtinës në disa raste.
Në kontratën mes Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes “Pastrimi” është përmendur heqja e mbeturinave të ngurta, me një çmim prej 3 euro për metër kub.
Ndërmarrja publike “Pastrimi” ka nënshkruar gjithashtu disa kontrata me operatorë privatë për furnizimin me kamionë dhe kontejnerë për heqjen e mbeturinave të vëllimshme.
Duke pasur parasysh që Komuna e Prishtinës ka rekomanduar për nënshkrim të kontratës dy kompani për heqjen e mbeturinave të vëllimshme është alarmuar kompania “Pastrimi”, e cila ka një kontratë për këtë punë deri në fillim të vitit të ardhshëm me komunën e Përparim Ramës.
Kompania “Pastrimi” menjëherë është drejtuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke argumentuar se Komuna e Prishtinës po synon t’i falimentojë dhe se ata kanë kontratë për të njëjtat punë. Megjithatë, ky institucion e ka refuzuar ankesën, duke u bazuar në faktin se kompania “Pastrimi” nuk ka qenë pjesëmarrëse në tenderin e ri dhe nuk mund të paraqesë prova që lidhen me një kontratë tjetër.
Sipas informacioneve të Demokracia.com, kompania “Pastrimi” pritet të drejtohet në njërën prej gjykatave kompetente për ta vazhduar çështjen ligjore.
Para pak javësh, komuna e Përparim Ramës ka nënshkruar edhe një kontratë për heqjen e mbeturinave të kuzhinave me një operator privat për zonat në qendër, pa u koordinuar me “Pastrimin”.
KËTU mund të shihni ankesën e “Pastrimit”, ku janë shpalosur të gjitha pretendimet e tyre në lidhje me këtë kontratë. /Demokracia.com/