Lajme
Komuna e Prishtinës delegon kompetencat zyrtare tek një kompani private që të realizojë tender
Demokracia
13:44 | 09 Janar 2024

Share:

Komuna e Prishtinës i ka deleguar kompetencat zyrtare tek një kompani private për të cilën ka pasur dyshime edhe gjatë procesit të tenderimit të saj. Bëhet fjalë për kompaninë “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, shkruan Demokracia.com.

Kompania “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, e cila një prej drejtuesve kryesorë e ka arkitektin Astrit Nixha, është autorizuar nga Komuna e Prishtinës që të realizojë tender në emrin e saj.

Është shumë diskutabile nëse kjo formë është ligjore apo jo.

Komuna e Prishtinës para pak mujave ka lidhur kontratë trevjeçare mbi 10 milionë euro me një konzorcium të quajtur “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” për konsulta dhe shërbime arkitektonike të kryeqytetit.

Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit ka hapur dy konkurse ndërkombëtare për koncept-dizajn të çerdhe-kopshteve në lagjen Kolovicë dhe Mati 1, ka njoftuar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Rama ka bërë të ditur se “konkurset janë në formën e një gare dizajni, si forma më tipike e konkurseve për dizajne arkitekturore”.

“Aplikimi do të jetë i hapur për të gjithë dhe çdo kandidat do të dorëzojë numër të pakufizuar dizajnesh. Çdo krijim i tij duhet të jetë origjinal dhe veçanërisht i konceptuar për këtë konkurs. Regjistrimi për t’u bërë pjesë e konkursit do të jetë i hapur deri më datë 17 janar 2024. Dorëzimi i aplikimeve do të pasohet nga vlerësimi i jurisë, prezantimi i punëve, pra i koncept-dizajneve dhe më 31 mars do të bëhet shpallja e rezultateve, gjegjësisht fituesve të këtyre konkurseve”, ka shkruar kryetari Rama.

Demokracia.com është në pritje të një opinioni sqarues nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për të mësuar nëse është ligjore apo jo që firmat private të organizojnë tender publik në emër të komunës. Lidhur me këtë, Demokracia.com i ka parashtruar një varg pyetjesh KRPP-së.

Nga ana tjetër, para pak ditëve, Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit dhe Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi, përmes të cilit synohet përfshirja e profesionistëve të dëshmuar dhe atyre të rinj në procesin transformues të kryeqytetit.

Siç thuhet në memorandum, ai ka për qëllim ngritjen e profesionistëve në nivel vendimmarrës për projektet e rëndësishme të qytetit, krijimin e lehtësirave për t’u bërë pjesë e konkurseve dhe zhvillimin e bashkëpunimit në rrafshin e angazhimit profesional.

Pra, siç shihet edhe në këtë rast, kompania “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” ka ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Prishtinës, duke nënshkruar memorandume me një organizatë që synon të përfshihet në projektet komunale.

Kjo pos që mund të jetë shkelje e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, është edhe e Ligjit për Prokurimin Publik.

Bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik, kur kompania “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” kishte lidhur kontratë, nuk e ka pasur si nënkontraktor Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës, i cili do mund të kryente punë për kompaninë, por jo edhe duke u përzier në kompetencat komunale.

Kur Komuna e Prishtinës kishte lidhur kontratë me “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” ishin shfaqur dyshime për favorizime të mëdha ndaj kompanisë kontraktuese. Madje, dyshimet kanë rënë edhe mbi Organin Shqyrtues të Prokurimit, i cili i kishte dhënë të drejtë komunës që të nënshkruajë kontratë më kompaninë. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 02 Maj 2024